Mediat mbarëbotërore vlerësojnë fjalimin e Obamës në Kajro
Mediat në të gjithë botën kanë reaguar ndaj fjalimit të Presidentit Barak Obama në Kajro, duke dhënë vlerësime të forta por edhe kritika të ashpra. Presidenti amerikan, Barak Obama, mbajti një fjalim të enjten në Egjipt, ku bëri thirrje për një fillim të ri në raportet me botën islame para 3 000 pjesëmarrësve në Universitetin e Kajros. Kritikat janë bërë nga mediat konservatore që mbështesin politikën e ish-presidenti amerikan, Xhorxh Bush. Shumë media konservatore kanë komentuar se Obama e ka turpëruar dhe njollosur vendin e vet, ndërkohë që asnjë herë nuk ka përmendur fjalën “terrorizëm”. Por pjesa më e madhe e reagimeve kanë qenë pozitive. “The Independent” shkruan se duke dëgjuar ligjëratën e tij në Universitetin e Kajros ishte kollaj të harrohet se Obama është njëkohësisht edhe President i Amerikës. “Nëse do t’ia dalë të shërojë plagët shumëshekullore mes islamit dhe krishterimit, nëse do t’i japë fund tragjedisë izraelo-palestineze që po vazhdon prej më shumë dekadash, kjo është çështje tjetër, prandaj nuk mjaftojnë vetëm fjalët”, shkruan gazeta. “The Daily Telegraph” duke krahasuar Obamën me oratorin më të madh të Greqisë së lashtë, Demostenin, shkruan se tani para Presidentit amerikan gjenden dy sprova të mëdha: nëse do të ushtrojë presion konkret mbi qeverinë izraelite dhe nëse do të gjejë në botën arabe partnerë që me të ndajnë të njëjtin vizion. Sipas CNN, “Fjalimi është kontributi më i madh retorik i Obamës. Obama i ka ikur me shkathtësi fjalës së përmendur shpesh në kohën e Bushit, ndërkohë që ka sulmuar ashpër ekstremistët militantë (terroristë). “New York Times” e vlerëson fjalën e Obamës në Kajro një fjalim të shkëlqyer, të fuqishëm, por të balancuar. “Obama ishte i ashpër ndaj të dyja palëve: palestinezëve dhe izraelitëve”, komenton radio NPR.