Sarkozi fton Thaçin në Paris
Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, ka ftuar të hënën Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për një vizitë zyrtare në Francë. Thaçi u ftua në zbatim të nismës së liderit francez për të takuar kryeministrat e Evropës Juglindore. Gjatë vizitës në Paris, Kryeministri Hashim Thaçi do të zhvillojë një drekë pune edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kushner. Kryeministri i Kosovës do të shoqërohet në vizitën e tij zyrtare në Francë nga Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni dhe zyrtarë të tjerë të lartë qeveritarë. Gjatë vizitës në Francë, Kryeministri Thaçi pritet të mbajë një fjalim në Qendrën për Studime dhe Hulumtime Ndërkombëtare (CERI), si dhe një konferencë shtypi në Qendrën për Media të Huaja. Gjatë fjalimeve Thaçi do të prezantojë para ekspertëve për çështje ballkanike dhe gazetarëve të mediave të shumta botërore, arritjet e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë. Kjo është vizita e parë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Paris që pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.