E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetarët e Beratit, lobing pro hapjes së Universitetit “Ufo”

 

BERAT – Intelektualët e qarkut të Beratit do të krijojnë lobin qytetar pro ngritjes së Universitetit “Ufo” në qytetin e UNESCO-s. Ata janë mbledhur në një tubim, duke kërkuar njëzëri se hapja e një universiteti në këtë qark, ku deri tani ka pasur vetëm premtime, është një nevojë e domosdoshme për të ardhmen e brezave. Në një zë, mbarë qytetarët beratas kanë nënshkruar një peticion drejtuar Kryeministrit Sali Berisha, për të mos zvarritur më procedurat e kësaj nisme, e cila do të bëhet realitet nga biznesmeni i njohur Astrit Veliaj. Presidenti i “Ufo” University është mirëpritur nga bashkëpatriotët e tij në këtë iniciativë që po bllokohet prej disa pengesave artificiale. Qindra vetë u mblodhën në qendrën Kulturore “Margarita Tutulani të qytetit të Beratit, me pjesëmarrjen e intelektualëve, mësuesve veteranë, nxënësve të shkollave të mesme, përfaqësuesve nga të dy krahët politikë të qytetit e mjaft prindërve për të bërë apel publik për hapjen e universitetit. Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Astrit Veliaj, i cili është dhe kandidati kryesor i Partisë Republikane në Berat, falënderoi fisnikërinë e madhe të qytetarisë beratase që e mirëpriti masivisht si një ngjarje të madhe kulturore dhe si një festë të re hapjen e këtij universiteti. Më tej ai tregoi motivet e këtij investimi shumë të madh për diturinë në këtë zonë shumë arsimdashëse, të paktën 100-vjeçare dhe me traditë të jashtëzakonshme kulturore, kombëtare e ndërkombëtare nëpër shekuj. “Me mundin e djersën time, në emër të prejardhjes së prindërve të mi, të mbarësisë së kombit tim, kërkoj që t’i jap këtij qyteti universitetin e tij të parë në shumë degë të preferuara për ekonominë e tregut e të zhvillimit perspektiv të Beratit. Shumë segmente të shtetit shqiptar, por edhe politikanë të ndryshëm të së majtës, krijojnë pengesa artificiale për të penguar ose për të vonuar hapjen e tij. Ata krijojnë edhe konflikte të sajuara mes investitorit dhe pronarëve legjitimë të tokës që kanë të drejtën po kaq legjitime të vendosin vetë marrëdhënie të drejtpërdrejta me secilin investitor që i paraqitet. Unë jam gati që të respektoj të gjitha hallkat e shtetit ligjor në emër të ndershmërisë, por edhe të vizionit tim për këtë investim shumë të rëndësishëm. Jam gati të përballem edhe në një tryezë debati me secilin prej tyre, por nuk lejoj që këto segmente të veshura me pushtet ose në emër të “ligjit” kërkojnë që ta zvarrisin”, pohoi Veliaj.

“Ufo”, 300 bursa për studentët në nevojë

Universitetit “Ufo” ka respektuar dhe nivelin social të zonës dhe të familjeve në nevojë për t’u shkolluar në arsimin e lartë, duke i ndihmuar edhe me bursa të ndryshme studimi. Deri tani rezultojnë se janë dhënë mbi 300 bursa për studentët që e meritojnë atë. Në Universitetin “Ufo” studiojnë 4500 studentë në 12 godina të “Perandorisë së Dijes”, ku përfshihet dhe televizioni dhe shtëpia botuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›