Bursat, Ekonomiku nxjerr emrat e studentëve përfitues dhe masën
Publikohet lista e aplikuesve për bursë që kanë dorëzuar dokumentacionin e munguar
Jonida Tashi
Fakulteti Ekonomik në kryeqytet shpall zyrtarisht emrat e studentëve që do të përfitojnë bursë gjatë këtij viti akademik. Përkrah çdo studenti aplikues për bursë, ekspertët e shqyrtimit të tyre pranë Ekonomikut kanë bërë edhe përcaktimin përkatës për masën e bursës që do të përfitojnë studentët që e kanë fituar këtë të drejtë, si kush prej tyre është skualifikuar nga bursa e studimit. Pas publikimit të emrave të studentëve që do të marrin bursë studimi, drejtuesit e Ekonomikut bëjnë të ditur se studentët që kanë paqartësi dhe që nuk gjenden në listën e mëposhtme, duhet të paraqiten brenda datës 7 janar 2010 pranë zyrës së kancelarit.
Bursat
Niveli i bursave që studentët do të përfitojnë gjatë vitit 2009-2010, do të jetë i njëjtë me atë të një viti më parë. Konkretisht, masa e bursës për studentët e universiteteve, Akademisë së Arteve dhe shkollat e tjera të larta do të jetë 8500, kurse bursa e pjesshme sa gjysma e bursës së plotë. Studentët e Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve do të marrin bursa më të larta për vitin e ri akademik. Bursa e plotë për këta studentë do të jetë 9 mijë lekë në muaj, kurse gjysmëbursa 4500. Sipas vendimit të qeverisë, bursat e studentëve, për vitet e dyta e lart, rishqyrtohen dhe miratohen, çdo vit, nga institucionet e arsimit të lartë. Studentët e viteve të dyta e lart, që nuk kanë përfituar bursë dhe plotësojnë kriterin ekonomik, mund ta përfitojnë atë brenda planit të bursave. Numri i bursave për këtë kategori studentësh dhe për studentët, që përfitojnë bursë sipas ligjit, është deri në 130, në shkallë vendi, brenda numrit të përgjithshëm të bursave, të dhëna për vitin shkollor 2009-2010. Për këtë arsye, universitetet paraqesin në Ministrinë e Arsimit, kërkesat për studentët, që përfitojnë bursë. Më pas, Ministria e Arsimit harton planin e shpërndarjes, të cilin ia dërgon për ekzekutim institucioneve të arsimit të lartë. Studentët, që, gjatë vitit të parë, kanë përfituar bursë me vendim të Këshillit të Bashkisë apo Komunës, ku kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës. Në rast se secili prej tyre nuk arrin të kalojë vitin akademik ose shkollor e drejta e bursës humbet.
Bashkitë
Nga plani i bursave të miratuara për këtë vit shkollor, Bashkisë së Tiranës i janë dhënë vetëm 10 bursa për studentët, që vijnë nga familjet apo shtresat sociale në nevojë, pavarësisht kriterit të studimit larg vendbanimit. Ndërsa bashkive të tjera, të cilat në vendndodhjen e tyre territoriale kanë institucione të arsimit të lartë publik, u janë dhënë 5 bursa për këtë kategori studentësh. Sipas vendimit të qeverisë, do të jenë këshillat bashkiakë që do të vendosin për dhënien e bursave sipas kritereve ekonomike të përcaktuara, duke u dhënë përparësi shtresave sociale në nevojë. Jashtë kriterit ekonomik do të marrin bursë fëmijët e punonjësve të policisë apo forcave të armatosura që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës. Ndërkaq, është parashikuar që të përfitojnë bursë studentët, të cilët vazhdojnë studimet në specialitetin e Matematikës dhe Fizikës pas përfundimit të plotë të kursit të parë, të cilët, në vitin paraardhës arrijnë një notë mesatare mbi 8. Po ashtu, gjatë këtij viti është vendosur t’u jepet bursë 25 nxënësve me rezultate më të mira në provimet e Maturës Shtetërore të shpallur nga Ministria e Arsimit sipas rezultateve të arritura.
Niveli i bursës për studentët
Universitetet, Akademia e Arteve dhe shkollat e tjera të larta
Bursa 8500
Gjysmëbursa 4250
Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve
Bursa 9000
Gjysmëbursa 4500
6 Janar 2010