Bursat, aplikimi deri në 15 dhjetor
Studentët e viteve të para do të kenë afat deri në datën 15 dhjetor për të aplikuar për bursë. Në të kundërt, pavarësisht plotësimit të kritereve ata do të humbasin të drejtën e përfitimit. Brenda muajit nëntor në universitetet publike të vendit do të mbërrijë numri i saktë i bursave, nga të cilat do të përfitojnë studentët. Për vitin 2009-2010, qeveria ka vënë në dispozicion të studentëve plot 1600 bursa, po kaq do të jetë numri i bursave edhe për nxënësit e arsimit parauniversitar. Nxënësit, që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike dhe studentët, që ndjekin një program studimi, të ciklit të parë, me kohë të plotë, në institucionet arsimore publike, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, nga buxheti vjetor, i miratuar për Ministrinë e Arsimit nëse plotësojnë disa kritere. Kriteri ekonomik si dhe rezultatet e larta në shkollë janë dy kushtet kryesore për të përfituar bursë.