“Selman Riza ndiqej nga sigurimi, dosja u mbyll pas vdekjes”
alma mile
Një amanet dhe një parashikim i përmbushur. Ai e dinte se Kosova do të ishte një ditë e pavarur dhe donte të prehej atje. Dje në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u bënë homazhe rreth eshtrave të gjuhëtarit Selman Riza, i cili do të prehet në vendlindjen e tij në Gjakovë. Kjo ngjarje përkon dhe me 100 vjetorin e lindjes së tij, që do të shoqërohet me një sërë aktivitetesh në Tiranë, Prishtinë e Gjakovë. Mori pjesë në këtë ceremoni edhe Kryeministri Sali Berisha, i cili shprehu konsideratat e tij për shkencëtarin e përndjekur nga diktatura komuniste. Në një intervistë i biri, akademiku Emin Riza, tregon për amanetin, lidhjen me Kosovën dhe marrëdhëniet me regjimin diktatorial të Selman Rizës.
Z. Riza, më në fund po përmbushet amaneti i babait tuaj, për t’u prehur në vendlindje, në Kosovë...
E ka lënë këtë dëshirë të shkruar qysh në vitin 1973 dhe ç’është e vërteta unë e kam zbuluar relativisht vonë, kur e kam lexuar në dorëshkrimet që ka lënë im atë. Natyrisht që është një përkim pozitiv që 100 vjetori i tij lidhet dhe me transferimin e eshtrave në vendlindje, aq më tepër që tani Kosova është e lirë. Më parë do të ishte e pamundur t’i çonim. Kjo dëshirë është e kuptueshme sepse im atë është larguar nga Gjakova bashkë me një grup moshatarësh, më këmbë për të ardhur në Tiranë, për të ndjekur shkollën, fillimisht në kryeqytet, pastaj Liceun në Korçë e më tej studimet e larta në Francë.
Si i ruajti lidhjet me Kosovën babai juaj?
Gjithmonë Kosova ka qenë një nga synimet e jetës së tij, bashkë me fushën studimore. Ai ishte edhe themelues i Lëvizjes Irredentiste, për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitet ’43-’44. Dashuria e madhe me vendlindjen lidhej dhe me bindjen që Kosova një ditë do të ishte e pavarur. Shpesh më thoshte se “e drejta historike bashkohet me të drejtën aktuale, pra gjithëheri Kosova ka qenë e banuar nga shqiptarë dhe vazhdon të banohet nga shqiptarë, prandaj ajo në mos sot, nesër do të jetë e pavarur”. Dhe nuk bëhet fjalë për një ëndërr të Selman Rizës, por ishte përmbushja i një parashikimi të Selman Rizës, që Kosova u bë e lirë. Nuk mund ta mohoj kontributin e jashtëzakonshëm të ndërkombëtarëve, sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ata gjetën një arsye juridike dhe njerëzore, në qëndresën heroike të kosovarëve, për të qenë të pavarur.
Megjithatë kjo dashuri për Kosovën, i ka kushtuar jo pak, apo jo?
Gjithë jetës i ka kushtuar, sidomos nga komunistët shqiptarë. Nuk flas për njerëzit e thjeshtë, për partizanët që kanë qenë patriotë e kanë luftuar për atdheun, por drejtuesit e tyre kanë qenë fund e krye vegla të shovinizmit serb, deri në prishjen e tyre. E dihet historia 45-vjeçare, e cila është shkaku i këtij tranzicioni “sui generis” të vendit tonë. Ai u burgos nga Duçja, Enver Hoxha dhe Titoja. Mjafton të themi që ai është çuar i burgosur si kriminel lufte, prej Shqipërisë, dorëzuar serbëve në ’48-ën. Ai si intelektual nuk mund të pranonte këto padrejtësi dhe ka pasur gjithnjë guximin që herë pas here të shfaqë kundërshtitë e tij.
Pas riatdhesimit, cila ishte marrëdhënia e tij me regjimin diktatorial?
Nga dokumentet që janë gjetur, pas vdekjes së tij, pra 2-3 vitet e fundit mësojmë se ai ka qenë gjithnjë i ndjekur nga Sigurimi i Shtetit, si spiun potencial i serbëve në Shqipëri. Vetëm 2 vjet pas vdekjes është shkruar “Jo, nuk ka qenë spiun”. Pra, u burgos me urdhër të serbëve, po me urdhrin e tyre u çua prej këtu në Serbi dhe kur u riatdhesua, pasi pas tre vjetësh burg ai nuk pranoi nënshtetësinë jugosllave, nga bolshevizmi ekstrem i regjimit të Enver Hoxhës, ai sërish ndiqej si spiun i serbëve.
Sa e dëmtoi ky qëndrim Selman Rizës, në punën si shkencëtar?
Ai praktikisht ka qenë i përjashtuar dhe prej ’67-ës, kur në moshën 55 vjeç u çua si ciceron i muzeut të Beratit, praktikisht internim, vepra e tij ka qenë e ndaluar dhe nuk u botua asgjë. Vetëm pas vdekjes, 4 volume të veprës së tij janë botuar nga Akademia e Kosovës, kurse volumi i 5-të së fundi. Ndërsa në Shqipëri botimet kanë qenë tepër të vogla. E vërteta është që ende nuk njihet Selman Riza. Është krejtësisht i panjohur, si shumë intelektualë, të cilët kanë pasur edhe fund më tragjik. Mendoj se tani është momenti i konsiderimit të vlerave reale të tij.