Rosela e Eliza fitojnë “Këngën Magjike”
“Ndiq rrugën e zemrës”, kënga e kënduar nga Eliza Hoxha dhe Rosela Gjylbegu u shpall fituesja e edicionit të 11-të të Festivalit “Kënga Magjike”. Kënga me muzikë të Darko Dimitrov dhe tekst të Eliza Hoxhës, rezultoi si më e votuara nga vetë këngëtarët, e ndjekur nga këngëtaret Elvana Gjata me një këngë të Florian Mumajesit dhe Soni Malaj me një krijim të Pirro Çakos. Një natë plot trofe, finalja e “Këngës magjike” mbajtur të shtunën në mbrëmje në Pallatin e Kongreseve, nën drejtimin e producentit Ardit Gjebrea dhe shoqërueseve të tij, rumunes Carmen Gjani dhe ukrainases Katia Kongoli. Çdo këngë që u ngjit në skenën e realizuar nga skenografi i festivaleve të Sanremos Gaetano Castelli, u shoqërua me një trofe. U vlerësua melodia më e mirë, vokali, interpretimi, paraqitja skenike, u shpall më e preferuara e publikut, më e klikuara në internet, kënga rrok më e mirë, gjithashtu balada më e mirë e shumë çmime të tjera. Këtë vit konkurruan 46 këngë në festivalin “Kënga Magjike”, por vetëm 22 prej tyre dolën në finale. Kishte nga të gjitha rrymat e stilet, këngëtarë të njohur e fare të rinj, që shkelnin skenën për herë të parë. Sa i përket krijuesve, ata që spikasnin më së shumti ishin kompozitorët më të kërkuar të momentit, si Florian Mumajesi, Adrian Hila, apo Pirro Çako, i cili mbante autorësinë të shumë teksteve të këngëve të këtij viti, për të vijuar me kompozitorë si Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, etj. Këngët e natës finale u gjykuan nga një juri, që kishte në përbërje emra të njohur të muzikës, por edhe fushave të tjera të medias e letrave, si Edison Miso, Suzana Turku, Rovena Dilo, Blendi Fevziu, etj. Por siç është kthyer në traditë tanimë, janë vetë pjesëmarrësit në festival ata që vendosin se kush është kënga më e mirë sipas tyre. Kështu, festivali u mbyll me shpalljen e 10 këngëve më të mira, të votuara nga vetë këngëtarët. Në vend të dhjetë u rendit Rozana Radi me këngën “Femër” me tekst dhe muzikë të Hilës, për të vijuar me radhë, në vendin e nëntë Olta Boka me një tjetër këngë dedikuar femrave, Kastro Ziso, Adelina Ismaili, Kaltrina Selimi, Flori, Mira Konçi, Soni, Elvana Gjata dhe në vend të parë Eliza Hoxha & Rosela Gjylbegu me këngën “Ndiq rrugën e zemrës”.
Çmimet e natës finale
Çmimi i parë: Rosela Gjylbegu & Eliza Hoxha
Çmimi i dytë: Elvana Gjata
Çmimi i tretë: Soni Malaj
Kantautori më i mirë: Gerti Gjoni
“Best Dance”: Ingrid Gjoni
Çmimi AMC: Olta Boka
Çmimi Tendencë: Kastro Zizo
Magjia e Parë: Kejsi Tola
Kontributi Artistik: Sajmir Çili
“Best Group”: “Burn”
Çmimi Televiziv: Evi Reci
“Best Rock”: Linda Halimi
Kënga Stil: Rozana Radi
“Best Balade”: Kaltrina Selimi
Çmimi Diskografik: Produkt 28
Best Melody: Soni Malaj
Jon Music: Sidrit Bejleri
Performanca më e mirë: Orinda Huta
“Best Vocal”: Rona Nishliu
Çmimi i Kritikës: Mira Konci
Interpretimi më i mirë: Silva Gunbardhi & Kelly
Çmimi “Çesk Zadeja”: Rosela Gjylbegu & Eliza Hoxha
Kënga Hit: Flori
Çmimi i Internetit: Elvana Gjata
Çmimi i Publikut: Adelina Ismajli