E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi sezonal, rëndë në infektiv 15-vjeçari nga Berati

 

Pesëmbëdhjetëvjeçari nga Berati që ndodhet i shtruar në reanimacionin e spitalit infektiv të kryeqytetit nuk është prekur nga virusi A/H1N1. Ashtu siç kishin paralajmëruar mjekët, komplikacionet i kanë ardhur nga gripi i zakonshëm. Mjekët pranë spitalit infektiv konfirmojnë se analizat kanë dalë negative për gripin e derrave. Ndërkohë që gjendja e 15-vjeçarit mbetet e rëndë, pavarësisht një përmirësimi të lehtë gjatë paradites së djeshme. Bluzat e bardha bëjnë me dije se pacienti po mbahet nën kontroll të vazhdueshëm dhe se ai po trajtohet me tamiflu. Ndërkohë, sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, numri total i të prekurve me virusin A/H1N1, ka arritur në 165. Asnjë të re nuk ka nga Ministria e Shëndetësisë për datën kur do të mbërrijë vaksina në vendin tonë. Kjo në një kohë kur dy ditë më parë në Kosovë mbërritën 5,000 dozat e para dhe të njëjtën gjë po bën edhe Maqedonia. Mjekët i bëjnë apel popullatës të mos neglizhojnë shenjat dhe të drejtohen për këshilla tek ata për çdo problem që kanë. Ndërkaq, për përballimin e rasteve të shumta me virusin H1N1 apo me atë stinor, në spitalin infektiv në QSUT, prej disa ditësh është ngritur një pavijon i posaçëm. Ministria e Shëndetësisë po monitoron shkollat dhe kopshtet në të gjithë vendin, pasi risku për përhapje masive të virusit në to është i lartë. Dy herë në javë një mjek kryen vizita në klasat e gjimnazeve dhe shkollave 9-vjeçare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›