“Muajt e Mjaltit”fiton Çmimin e Publikut në Selanik
alma mile
Pas një udhëtimi në festivale të ndryshme ndërkombëtare, mbërrin një trofe jo pak i rëndësishëm për “martesën” shqiptaro-serbe. Filmi shqiptaro-serb “Muajt e mjaltit” (“Honeymoons”), me regji të Goran Paskaljeviç fitoi Çmimin e Publikut në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik të Greqisë. Ceremonia është zhvilluar mbrëmë në praninë e personaliteteve të artit, jo vetëm në Greqi, por edhe atyre ndërkombëtarë. U mbyll mbrëmë një nga ngjarjet më të rëndësishme të kinematografisë, e cila nisi në datën 13 nëntor e ku garuan emra të mëdhenj të artit të shtatë. Në këtë edicion të 50-të, merrte pjesë edhe bashkëprodhimi i parë kinematografik mes Shqipërisë dhe Serbisë, me skenar të Genc Përmetit e Goran Paskaljeviç. Duket se filmi, ngjarjet e të cilit zhvillohen mes Shqipërisë, Serbisë e Italisë, që tregon për ëndrrat dhe shpresat e përbashkëta të dy popujve fqinj me një histori të komplikuar si Serbia dhe Shqipëria, ka prekur publikun grek. Kjo ka qenë edhe arsyeja, pse mbrëmë, në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e festivalit, “Muajt e mjaltit” merituan një nga trofetë më të rëndësishëm të këtij aktiviteti. Mesazhi i bashkëjetesës dhe i kërkesës së ligjshme për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane, është mirëpritur nga spektatori grek. Po kështu edhe lojën e aktorëve shqiptarë e serbë, si Yllka Mujo, Bujar Lako, Nebjosa Milovanovic, Jalena Trkulja, Jozef Shiroka, Mirela Naska, etj.
Festivali i Selanikut, i cili i kushton një rëndësi të veçantë kinemasë ballkanike, këtë vit, këndin e retrospektivës, ia kushtoi pikërisht regjisorit serb Goran Paskaljeviç, i cili ka bërë histori me filmat e tij. Në këtë jubile të festivalit, drejtorja e tij, Despina Mouzaki, e ka zgjedhur Paskaljeviç, jo vetëm si një nga krijuesit më të mirë të rajonit ballkanik, por edhe si një humanist, si një njeri që ka dalë kundër diktaturave, që ka dalë kundër Millosheviçit, që ka mbrojtur çështjen e Kosovës, si një shembull i bashkëpunimit. Për kontributin në kinemanë ballkanike dhe atë botërore Goran Paskaljeviç meritoi edhe çmimin “Aleksandri i Artë”, në këtë edicion të 50-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Selanik. Gjatë ditëve të festivalit janë shfaqur filma të regjisorit, por janë zhvilluar edhe seminare e debate mbi kinematografinë. Disa prej filmave të kësaj retrospektive janë “Mister Hrstka”, “The Dog who Loved Trains”, “Special Treatment”, “Illusive Summer ’68", “Guardian Angel”, “The Time of Miracles”, “Tango Argentino”, “Someone Else’s America”, “The Powder Keg”, “Midwinter Night’s Dream”, “The Optimists”, etj. Filmi “Muajt e Mjaltit” ka shëtitur tashmë disa festivale të rëndësishme, duke filluar që me Festivalin e Venecias, ku ai përfshihej në një kategori jo konkurruese, për të vazhduar me atë të Montrealit e shumë të tjerë, deri tek Festivali i Selanikut, i cili u mbyll dje në mbrëmje. Por ai ende nuk ka ardhur përpara publikut shqiptar. Premiera e këtij filmi do të jetë gjatë ditëve të Tirana Film Festival, i cili këtë vit do të përfshijë edhe filmin me metrazh të gjatë.