Tirana turpërohet në Laç
Leonard Karaj
Tirana humbet në Laç, autogol i mbrojtësit Tefik Osmani, ndërsa Besa nuk shkon më shumë se një barazim 1-1 në “Niko Dovana” të Durrësit, ndaj Teutës.
Turpërim bardheblu. Jo më shumë për rezultatin sesa për mënyrën e lojës së kësaj skuadre në fushën e Laçit. Tirana nuk prodhoi asgjë duke i falur terren thuajse në gjithë 90-minutëshin e ndeshjes ndaj vendasve. Madje skuadra e drejtuar nga Stavri NIca mund të kishte shënuar edhe të paktën dy gola të tjerë në rast se sulmuesit e saj do të ishin treguar më të saktë para portë së Nallbanit. Kjo ishte humbja e katërt e Tiranës në 11 javë kampionat, e cila e largon atë 12 pikë nga kreu i renditjes i mbajtur aktualisht nga Dinamo. Ndërsa Laçi ka shkuar në kuotën e 12 pikëve, në vendin e 8-të duke lënë pas Skënderbeun Vllazninë, Flamurtarin dhe Gramozin. Ditë aspak e mirë edhe për Besën e Kavajës e cila nuk mundi të shkojë më shumë se një barazim 1-1 ndaj Teutës. Madje ishin vendasit e Mirel Josës ata që shënuan të parët me anë të kapitenit të tyre Vangjel Mile. Më pas erdhi goli me kokë i mbrojtësit kosovar, Alban Dragusha. Me këtë barazim Besa mbetet në vendin e dytë me 10 pikë diferencë nga blutë e kryeqytetit. Javën tjetër Tirana do të luajë në Vlorë, ndërsa Laçi do presë Skënderbeun. Besa do jetë në Shkodër ndaj Vlalznisë, teksa Teuta do presë Apoloninë. Shkumbini-Gramozi dhe Dinamo-Kastrioti përbëjnë javën e 12-të të Superiores.