E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bursat globale, kokëposhtë pas rënies së Wall Street

Tregjet e aksioneve evropiane notuan dje në ujëra të këqija, bashkë me ato aziatiket, një ditë pasi Wall Street shënoi pikën e vet më të ulët që nga pranvera e vitit 2003, teksa përpiqet me çdo kusht të gjejë mënyrën për të shëruar industrinë e sëmurë të prodhimit të automjeteve.

Tregjet më të mëdha evropiane, Londra, Parisi e Frankfurti, qenë të gjitha të paktën me 2 për qind rënie deri në orën dy të drekës së djeshme. Ndërkohë që humbjet qenë më dramatike në tregjet e Azisë dhe të Paqësorit, ku indeksi Nikkei i Tokios ra gjatë ditës së djeshme 6.9 për qind. Tregu japonez zhytej ndërkohë që ministri i Financave të këtij vendi publikoi deficitin tregtar prej 63.9 miliardë jenësh (663 milionë dollarë) për muajin tetor, i shkaktuar nga rënia e ndjeshme e eksporteve për shkak të krizës financiare globale.

Indeksi KOSPI i Seulit ra me 6.7 për qind po gjatë ditës së djeshme, indeksi "All Ordinaries" i Australisë ra 4.3 për qind, ndërsa Hang Seng i Hong-Kongut ra me 4 për qind.

Të mërkurën, Wall Street ra në pikën më të ulët që nga pranvera e vitit 2003. Vlera e tregjeve amerikane ra me kokë poshtë për shkak të frikës që kriza ekonomike ka shkaktuar tek investitorët e bursave, si edhe zërat e pasigurt për të ardhmen e industrinë e prodhimit të automjeteve. Indeksi industrial, Dow Jones, u mbyll nën kufirin 8000 për herë të parë që nga marsi i vitit 2003. Indeksi Standard & Poor‘s 500 ra gjithashtu me 6 për qind, që është niveli më i ulët që nga viti 2003.

Tregjet e aksioneve lënguan përgjatë gjithë ditës së mërkurë, duke bërë që të shumëzoheshin me zero të gjitha ato ngritje të regjistruara ditët e fundit. "Tregu është i trembur për shkak të krizës së kredive dhe ngadalësimit të ritmeve ekonomike", tha Tod Salamone, strategjist tregu në Qendrën Studimore të Investimeve Shefer.

Investitorëve u duhet të përballen me rrezikun e falimentimit të industrisë së prodhimit të automjeteve, diçka që sipas analistëve mund të luajë rol negativ në tërë kuadrin ekonomik, sidomos duke parë se një seancë e dytë dëgjimi lidhur me këtë temë në kongresin amerikan përfundoi pa arritur asnjë lloj zgjidhje. "Kriza e besimit është kthyer në plan të parë", thotë Tod Morgan, drejtor i "Bel Air Investment Advisors", firmë nga Los Anxhelosi, e specializuar në konsulencë financiare, e cila menaxhon një fond prej të paktën 6 miliardë dollarësh. "Jemi para nevojës për një katalizator pozitiv, diçka që t‘i bëjë investitorët e bursës të mos tremben më, sidomos duke parë që debati mbi industrinë e prodhimit të automjeteve po dëmton edhe më shumë besimin te tregjet".

Ndërkaq, të dhënat e dobëta të regjistruara në tregun amerikan të banesave bashkë me rënien e çmimeve të konsumit reflektojnë sfidat me të cilat përballet ekonomia, gjë që ka shkaktuar edhe uljen e aksioneve të vetë firmave që ofrojnë shërbime financiare.

Po të mërkurën, Rezerva Federale amerikane publikoi pjesë nga mbledhja e saj më e fundit, në të cilën u arrit në konkluzionin se parashikimet për ekonominë e vendit mbeteshin të zymta për vitin në vazhdim, ashtu si edhe për të ardhmin. U la të kuptohej gjithashtu se nuk përjashtoheshin edhe ulje të mëtejshme të normave të interesit, në kërkim të mëkëmbjes së aktivitetit të rënduar ekonomik.

Të dhënat e ndryshme vërejnë zbehjen e zërave të shumtë të tregut, duke nënvizuar trende anemike shpenzimesh nga konsumatori, bashkë me dobësim të mëtejshëm të tregut të pasurive të paluajtshme. Departamenti i Tregtisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës raportoi dje rënie rekord të kërkesave për leje ndërtimi, gjë që njofton se ky treg ka ndër mend të qëndrojë gjatë i përgjumur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›