Xhejms Bond mbërrin në Tiranë
Vetëm pak ditë pas premierës amerikane, historia më e fundit e agjentit 007 shfaqet edhe për publikun shqiptar. Ndërkohë, në të gjitha kinematë evropiane dhe amerikane filmi po shënon sukses dhe ka pushtuar interesin e të gjithëve. Më në fund të gjithë po shuajnë kureshtjen e tyre, pas një kohe të gjatë të mbushur me lajme e sensacione që shoqëruan filmin që nga periudha fillestare e tij e deri në post-produksion. Dhe është për t‘u shënuar se edhe publiku shqiptar ka mundësinë ta ndjekë filmin në kinema në të njëjtën kohë me publikun e huaj. Pas premierës së mbrëmshme, filmi do të vazhdojë të shfaqet në Tiranë. Titulli është marrë nga një përmbledhje e novelave të shkrimtarit të njohur Ian Flemin, që është krijuesi i Bondit, sipas novelës "Quantum of Solace", që është përkufizuar si një gjendje që përcakton humanizmin, ndjenjat që duhet të kenë dy njerëz që dashuria të mbijetojë. Lajmi për një film të ri të Bondit është dhënë sapo kishte mbaruar postproduksioni i "Casino Royale". Që nga ai moment e deri në fillimin e xhirimeve qarkulluan shumë emra regjisorësh, por në fakt filmi do të merrte vulën e regjisorit të njohur zviceran, Marc Foster. Vetë regjisori kërkoi që historia të mos mbetej në kontekst sentimental si te "Casino Royale", por të eksploronte më mirë karakterin e 007-ës. Për këtë arsye Foster kërkoi që të zhvendosej në një ngjarje tjetër dhe ishte skenaristi Paul Haggis, i cili i dha historisë një zhvillim të ri. Në stafin e aktorëve, përveç Daniel Craig, janë agjenti M e interpretuar nga Judi Dench, e cila shënon pjesëmarrjen e saj të gjashtë në sagën Bond, si dhe aktorët Olga Kurylenko, Matheiu Amalric, Gemma Arterton, Jeffrey Wright dhe Giancarlo Giannini.. Xhirimet e filmit u bënë kryesisht në Panama, Kili, Itali, Austri si dhe në studiot "Pinnewood".