E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta, më pak se 50 dollarë për fuçi

Çmimi i naftës vazhdoi të ulej gjatë ditës së djeshme, duke rënë në më pak se 50 dollarë për fuçi, teksa shqetësimet mbi të ardhmen e ekonomisë globale ndikojnë drejtpërdrejt te kërkesa për arin e zi.

Shkaktarët janë disa: Një javë e gjatë e mbushur me raporte shqetësuese mbi të ardhmen e ekonomisë globale, të kombinuara me rënien e bursave botërore dhe me mungesën e një vendimi të kongresit amerikan për t‘u ardhur në ndihmë financiarisht prodhuesve më të mëdhenj amerikanë të autoveturave. Që të gjitha së bashku janë shkaktare të një rënieje të ndjeshme të kërkesës për naftë në thuajse të gjitha tregjet botërore.

Sipas Fil Flin, analist tregu në shoqërinë e investimeve në bursë, "Alaron Trading", frenimi i ekonomisë globale ndikon drejtpërdrejt në pakësimin e kërkesës për naftë. Flin shpjegoi se "lidhur me të ardhmen ekonomike vijnë veç lajme të zymta e të frikshme".

Dje qeveria amerikane raportoi se numri i të papunëve në vend qe më i larti i regjistruar në këto 16 vitet e fundit. Më parë gjatë javës kishte bërë me dije se vëreheshin shenja uljeje të forta të kërkesës së konsumatorit për të gjitha produktet dhe shërbimet pa përjashtim (në nivelet më të ulëta që nga viti 1947). Edhe tregu i pasurive të paluajtshme është në nivelet më të ulëta që nga viti 1959, ndërkohë që industria e prodhimit të automobilave është në pritje të miratimit të një pakete shpëtimi si e vetmja rrugë për të mbijetuar dhe për të mbajtur në punë mijëra të punësuarit e saj.

Ndërkaq, tregjet e bursës, që nga shumë investues shihen si lexuesi më i mirë i shëndetit ekonomik, edhe kësaj jave vazhduan të tkurren.

Çmimi i naftës bruto ka vazhduar të bjerë, ndërkohë që investitorët i trembet rënies në recension të ekonomive më të zhvilluara botërore, siç është ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, konsumatori më i madh i naftës në rang global, por edhe prej ngadalësimit të ekonomive në zhvillim.

Për t‘u përmendur është fakti që sot shënohet çmimi prej më pak se 50 dollarë, kur vetëm në mesin e korrikut të këtij viti një fuçi nafte kushtonte 147.27 dollarë.

Ndërkaq, kapja gjatë kësaj jave në brigjet somaleze e një cisterne gjigande që transportonte naftë nga Arabia Saudite ka shtyrë shumë kompani transporti të marrin në konsideratë një rrugë më të gjatë, përreth Afrikës së Jugut, duke shmangur atë që kalon përmes Kanalit të Suezit në Egjipt. Diçka e tillë do t‘i shtonte ndjeshëm kostot e transportit të naftës, që shkon nga Lindja e Mesme drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›