Propozimi i ministrisë, lista me bashkëpagesë do te kete 130 barna
Emanuela Sako
Ministria e Shëndetësisë ka hartuar një strategji ndryshe nga herët e tjera për futjen e barnave të reja me rimbursim për 2008-n. Sipas propozimit të Ministrisë, lista alternative e barnave me rimbursim ose lista me bashkëpagesë, ndërmjet ISKSH-së dhe pacientëve, do të ketë shtesë 130 barna të reja. Ndërsa përsa i përket listës së plotë të barnave të rimbursueshme, nuk pritet që këtë vit të ketë shtesa. Por, specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë menduar që të shtojnë disa formë-doza të barnave ekzistuese, që do të thotë të shtohen disa doza të barnave që janë dhe me të njëjtin funksion, por në forma të ndryshme. Tashmë ka përfunduar hartimi i skemës së rimbursimeve dhe pritet që të diskutohen në Komisionin e Barnave të Rimbursueshme pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe më pas do të kalojnë për diskutim pranë Këshillit të Ministrave, ku do të jetë dhe hapi përfundimtar për hyrjen e barnave të reja në skemën e rimbursimit.
Alternativat
Specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë përshtatur skemën e rimbursimeve me skemën që është propozuar pak kohë më parë nga ISKSH-ja. ISKSH-ja ka menduar përfshirjen e dy listave të reja në skemën e rimbursimeve për 2008-n. Kështu, këtë vit pritet të ketë një listë barnash bazë, e cila do të mbulohet 100 për qind nga ISKSH-ja, që do të shërbejë për shtresat në nevojë, për të cilën ministria ka menduar vetëm formë-dozat. Ndërsa do të ketë dhe një listë të dytë alternative, e cila do të jetë me bashkëpagesë mes ISKSH-së dhe pacientit. Ky është propozimi i ISKSH-së, që është prezantuar pak kohë më parë nga drejtoresha Elvana Hana. Sipas saj, në këtë mënyrë do të mundësohet një kontroll më i mirë i skemës, pasi supozohet të ulen abuzimet. Në sajë të bashkëpagesës do të krijohet mundësia për futjen e më shumë barnave të reja dhe cilësore në listën alternative. Sipas ISKSH-së, drafti ka përfunduar dhe pritet të diskutohet në mbledhjen e radhës të Komisionit të Listës së Barnave të Rimbursueshme, ku edhe ISKSH-ja do të propozojë projektin për të pasur më shumë se një listë barnash të rimbursuara.
Lista aktuale
Aktualisht, lista e barnave me rimbursim mbulon 94 për qind të sëmundshmërisë kronike. Vitin e kaluar në listën e barnave të rimbursueshme u futën 14 barna dhe fondet që janë në dispozicion e mbulojmë këtë listë. Hana theksoi se e sheh të vështirë mbulimin e barnave të reja me fondet që janë përcaktuar për 2008-n. E ndërkohë që lista pritet të shtohet ende, kanë kaluar tre muaj dhe ende nuk është marrë asnjë vendim. Duke pasur parasysh buxhetin e përcaktuar për këtë vit, shpeshherë është folur për barna të kushtueshme, që do të dalin nga rimbursimi. Tashmë pritet vendimi i Komisionit për Rimbursimin e Barnave dhe qeverisë që të vendosë përfundimisht lidhur me këtë çështje.
25 Mars 2008