E Shtunë, 31 Tetor 2026

OBSH-ja për tuberkulozin në Europë: “Në çdo orë 49 raste të reja dhe 7 të vdekur”



Raporti i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka nxjerrë shifra alarmante për përhapjen e tuberkulozit në Europë. Sipas këtij raporti, çdo orë në rajonin e Europës 49 njerëz diagnostikohen me tuberkuloz (TB) dhe shtatë të tjerë vdesin prej tij. Po sipas kësaj organizate, dy vite më parë kishte rreth 9.2 milionë raste të reja dhe 1.7 milionë vdekje nga TB-ja në mbarë botën. Këto shifra përfshijnë 433. 261 rastet e reja dhe 62.197 vdekjet në Rajonin e Europës. Kjo do të thotë se në këtë rajon shfaqen 49 raste të reja dhe shtatë vdekje në çdo orë.
Megjithëse pjesa më e madhe e vendeve të Europës kanë arritur të reduktojnë incidencën e TB-së, treguesit janë rritur gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. OBSH-ja vlerëson se çdo vit në mbarë botën shfaqen 490 000 raste me TB rezistent (MDR-TB) dhe 40 000 raste me TB shumë rezistent (XDR-TB). Nga 14 zonat më të prekura në botë me MDR-TB, 12 janë në pjesën lindore të Rajonit të Europës. Treguesit e XDR-TB, i cili është më i vështirë për t’u mjekuar, kërkon më shumë kohë dhe është më i shtrenjtë, variojnë nga 4 për qind e rasteve të reja të diagnostikuara me MDR-TB në Armeni, në gati 24 për qind në Estoni. Përqindje të larta kanë rezultuar gjithashtu në zonat e Azerbajxhanit, Moldavisë dhe Ukrainës (përkatësisht 22.3 për qind, 19.4 për qind dhe 16 për qind). Kjo ka sjellë, sipas OBSH-së, rritjen e kërkesave për shërbime shëndetësore, por burimet nuk janë rritur.
Përgatiti: JONIDA TASHI

25 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›