Kampusi i UT, nis këtë vit ndërtimi
Kampusi do të ndërtohet në zonën e ish-Kompleksit Sportiv, që ndodhet në afërsi të ndërtesës së Fakultetit Ekonomik
Projekti i promovuar gjerësisht për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit të Tiranës, do të nisë punimet këtë vit. Ngritja e këtij kampusi do t’i jepte zgjidhje një problemi të madh për studentët e Universitetit të Tiranës, sidomos atyre të Shkencave Sociale dhe Juridikut, të cilët prej më shumë se dy vjetësh po e zhvillojnë mësimin nga një godinë tek një tjetër. Fillimi i këtyre punimeve vjen në kuadër të objektivave të qeverisë Berisha, për arsimin e lartë në vitin 2011, objektiva këto të shpallura edhe nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Pikërisht këtë gjë e ka konfirmuar së fundi edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili ka deklaruar se tashmë çdo gjë është gati dhe ky projekt do të zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemin e hapësirave për UT. Kule ka shpjeguar se ky kampus do të ndërtohet në zonën e ish-Kompleksit Sportiv, e cila ndodhet në afërsi të ndërtesës së Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe Qytetit “Studenti” dhe është në varësi të Universitetit të Tiranës. “Kjo zonë përmban gjithë potencialin e nevojshëm për t’u zhvilluar si zonë universitare, duke artikuluar në mënyrë sa më harmonike funksione të rëndësishme si: drejtimi dhe administrimi universitar, arsimimi dhe kërkimi shkencor universitar, kultura fizike e shlodhja në kohën e lirë”, - ka pohuar rektori Kule. Ai ka bërë të ditur se ky kampus ka gjetur dhe mbështetjen e këshillave studentore, ku të përfshirë si grupe interesi kanë qenë një aktor tepër i rëndësishëm në mbështetjen e gjerë që Universiteti i Tiranës ka marrë për këtë projekt. Në kuadër të objektivave të qeverisë për infrastrukturën, këtë vit do të nisë puna dhe për ndërtimin e kampusit të Universitetit të Vlorës, çka do të sjellë një përmirësim të ndjeshëm në hapësirat universitare.