Djali vret babanë pas një grindjeje banale
Tiranë - Krimi trokiti dy ditë më parë në një familje në fshatin Mal Mnerr të Tiranës. Burime policore thanë për gazetën “Albania” se 16-vjeçari Elton Lika ka ekzekutuar me automatik babain e tij, Mehmet Lika, 50 vjeç, pas një grindjeje banale. Krimi i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë, por policia e ka vënë në pranga adoleshentin vrasës mesditën e djeshme, rreth orës 14:30.
16-vjeçari Elton Lika e ka pranuar krimin para uniformave blu dhe ka bërë të ditura arsyet që e detyruan të ndërmerrte një hap të tillë. “Vrava babain se më rrihte”, - mësohet të ketë thënë 16-vjeçari para agjentëve të policisë. Arrestimi i tij u krye nga forcat e Komisariatit Nr. 4 në kryeqytet, në bashkëpunim me zyrën e vrasjeve. Ky është i dyti krim në familje në kryeqytet brenda pak ditëve. Disa ditë më parë, në zonën e Medresesë, një 35-vjeçar vrau nënën e tij, pasi ajo nuk i jepte lekët e pensionit për të blerë drogë.
Vetekzekutohet me armë 44-vjeçari, policia po heton shkaqet
Tiranë – Vetëvrasja është rikthyer përsëri në kryeqytet. Burime policore thanë për gazetën se rreth orës 10:30 të mëngjesit të djeshëm, në banesën e tij, shtetasi Përparim Gjyshja, 44 vjeç, banues në rrugën “Jordan Misja”, në Tiranë, ka qëlluar veten me armën tip “pushkë model 56” duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, si dhe specialistët e Seksionit të posaçëm kundër Krimit ndaj Jetës dhe Shëndetit, si dhe u formua grupi hetimor për të hetuar mbi këtë ngjarje. Nga hetimet paraprake të kryera rezultoi se viktima ishte punonjës pranë Burgut të Vaqarit. Aktualisht, specialistët dhe grupi hetimor po punojnë për të sqaruar më tej rrethanat që e kanë çuar viktimën të ndërmarrë këtë akt. Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
7 Nentor 2008