E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis Forumi dyditor Ballkanik për Sigurimet Shëndetësore



Specialistët e ISKSH-së do të diskutojnë modelin e aplikuar dhe mënyrat e reja të shtrirjes së skemës së Sigurimeve Shëndetësore në vend. Gjithçka do të realizohet në Forumin dyditor Ballkanik për Sigurimet Shëndetësore, që do të realizohet në Slloveni. ISKSH-ja bën të ditur se gjatë punimeve dyditore të forumit theksi do të vihet tek reforma spitalore që ka nisur të aplikohet në vendin tonë. Njëkohësisht do të shkëmbehen përvojat mes vendit tonë dhe popujve të tjerë të Ballkanit, të cilët kanë aplikuar këtë mënyrë. Kjo tryezë ballkanike do t’u vijë në ndihmë reformave në sistemet e sigurimeve shëndetësore në vendet e Ballkanit, pasi përfaqësuesit e nivelit të lartë të Instituteve të Sigurimeve Shëndetësore Ballkanike do të mundësojnë shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira të çdo vendi pjesëmarrës. Duke marrë në konsideratë lëvizjen e lirë të shtetasve (emigracionin) dhe disponibilitetin e shërbimeve shëndetësore në vendet e Ballkanit, del i nevojshëm hartimi i një strategjie të përbashkët të informimit në kontestin ballkanik, i cili do të jetë në dispozicion të pacientëve, profesionistëve dhe politikëbërësve. Një vit më parë Shqipëria organizoi Forumin e Parë Ballkanik për sigurimet shëndetësore. Ky forum shërbeu për prezantimin e përvojës së shteteve ballkanike që operojnë në fushën e sigurimeve shëndetësore.

Ish-kinema “Dajti” kthehet në qendër shumëfunksionale për të rinjtë

Ndërtesa e ish-kinema “Dajtit” kthehet në qendër multifunksionale për të rinjtë e kryeqytetit. Bashkia e Tiranës nis rikonstruksionin e ish-kinemasë për ta kthyer atë në një qendër multimediale, e cila do të plotësojë nevojat, dëshirat dhe ambiciet artistike e krijuese të grupmoshave të reja. Kjo qendër do të pajiset me të gjitha materialet e nevojshme për t’u ardhur në ndihmë të gjithë të rinjve që duan të kryejnë aktivitete të ndryshme. Ndërtesa do të pajiset me ambiente për të lexuar, për t’u takuar, për t’u ulur, për t’u dëgjuar, apo dhe thjesht vetëm për të qëndruar. Njëkohësisht do të ketë dhe një kënd leximi për të rinjtë, ku do të jetë vendi i librave, por edhe vendi i takimeve me autorët, ilustruesit, botuesit, vend ku fëmijët dhe të rriturit mund t’u drejtohen guidave, historisë, gjeografisë, letërsisë etj. Vlera e objektit shkon në 26 500 000 lekë. Bashkia e Tiranës ka vendosur që kjo godinë të jetë për mjaft shërbime, ku të rinjtë do të argëtohen me të gjitha shërbimet që ofron kjo qendër. Në përurimin e punimeve mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë, Edi Rama. “Transformimi rrënjësor i kësaj strukture të vjetër, në një qendër shumëfunksionale për rininë, e cila do t’i japë mundësinë të rejave e të rinjve të shoqërizohen në kushte standardesh europiane, është një hap shumë i rëndësishëm përpara, jo thjesht në mbajtjen e një premtimi të bërë rinisë kryeqytetase, por në krijimin e një shansi të ri”,- u shpreh Rama.

7 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›