E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon Shima: Akuzat e Genc Mulliqit, shpifje

• Reagon Rubens Shima. I akuzuar dy ditë më parë nga Genc Mulliqi, drejtori i ri i Galerisë Kombëtare të Arteve, del në konferencën e tij të parë për shtyp (në këtë post) për të kundërshtuar këto akuza.

 I shoqëruar edhe nga një prej përfaqësuesve të Auditit të Brendshëm të Ministrisë së Kulturës, Shima është shprehur se janë gjendur papritur përballë disa akuzave të bujshme të bëra nga ish-drejtori Mulliqi. Megjithatë, debati mes tyre, si drejtues të GKA-së, është shumë i hershëm, akuzat dhe kundërakuzat mes tyre kanë qenë evidente, qoftë edhe të publikuara në media. "Më duhet të sqaroj se për konkursin 'Onufri 2006' gjithçka është kryer në përputhje me rregullat, duke pasur një platformë të miratuar dhe të dërguar ministrisë, të miratuar nga Nestor Jonuzi, drejtor i Galerisë në atë kohë. Të gjitha mangësitë e konstatuara nga Auditi dhe të paraqitura edhe nga Mulliqi në media, si propozimi i kuratorit, këshilli organizativ, janë detyra funksionale të drejtorit të GKA", është shprehur Shima, duke theksuar se këto akuza nuk e kanë impresionuar shumë, pasi, sipas tij, disponojnë edhe dokumente, pavarësisht se dje gjatë konferencës për shtyp, nuk u publikua asnjë prej tyre. Drejtori aktual i GKA tregon se këto akuza do të ndiqen në rrugë ligjore dhe administrative, për të mos përbaltur, sipas tij, institucionin nga akuzat që Muqilli bëri para mediave pak minuta para dorëheqjes së tij, akuza të cilat, sipas Shimës, janë shpifje të ulëta dhe mllef në një moment stresi dhe paaftësie për të përballuar situatën reale. Megjithatë, akuzat e Muqillit bërë mesditën e së mërkurës, nuk ishin dhe aq të panjohura për publikun shqiptar. Shumë prej tyre janë publikuar që në kohën e realizimit të Bienales së Venecias, e pasuar më tej me konkursin e arteve pamore "Onufri 2007" dhe shkresa të shumta janë dërguar jo vetëm në Ministrinë e Kulturës, por edhe në Kryeministri prej tij. Shima akuzon Mulliqin në këtë rast, se për këtë konkurs ish-drejtori është për shumë shkelje e disa urdhra prokurimi të firmosura nga vetë ai, por të paekzekutuara. Kujtojmë se debati i ngritur për "Onufrin 2007", ku Rubens Shima ndodhej në pozicionin e kuratorit së bashku me Ervin Hatibin, pati konflikt interesi, pasi njëkohësisht qëndronte në postin e zëvendësdrejtorit. Por edhe këtë fakt, Shima dje e hodhi poshtë, duke u shprehur se ky pretendim nuk qëndron, pasi i është hequr e drejta e firmës së parë për menaxhimin dhe shpenzimet në kohën kur u shpall konkursi. Por rasti i Galerisë, mbetet unikal për institucionet kulturore kombëtare shqiptare. Ka më shumë se një vit që ngrihen akuza e kundërakuza, dhe përfundimi: gjithçka mbetet një tymnajë që s'dihet sa mund të zgjasë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›