E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirush Kabashi: Një ceremoni për miqtë

• Një festë plot surpriza dhe të papritura për Mirush Kabashin. Aktori i njohur i skenës dje ka festuar 60-vjetorin e lindjes në ambientet e Teatrit Kombëtar.

Kabashi ka marrë një sërë urimesh nga miqtë, kolegët e familjarët e tij, të mbledhur në një nga sallat e Teatrit Kombëtar, dje në mbrëmje. Një dhuratë për të ka qenë dhe filmi dokumentar i realizuar nga regjisori Esat Teliti, me titull "Midis helmit dhe dafinës". Por, pasi ka nisur të shfaqen minutat e para të filmit, në skenën e vogël të teatrit kanë ikur dritat, për gati dhjetë minuta. A thua një surprizë kjo si qirinjtë mbi tortë?! Në fakt ka qenë një shkëputje e rrymës elektrike, e cila nuk ka zgjatur shumë, por të pranishmit në atë sallë nuk po merrnin vesh se ç'po ndodhte ato momente. Më pas, pasi dritat kanë ardhur sërish dhe kur filmi është rishfaqur nga e para, u kuptua që nuk ishte më një surprizë. Pas prezantimit të dokumentarit më pas janë bërë dhe urimet e rastit, janë treguar kujtime, janë bërë përshëndetje e falënderime nga vetë aktori në skenë. "Është një përvjetor, por jo një rezyme për karrierën time artistike. Ajo që kam arritur tashmë është përveç punës edhe për një tjetër meritë, mbështetjes së medias që na ka dhënë në çdo rast. Këtë aktivitet që organizova e kisha dhe një arsye, për të parë se sa miq dhe dashamirës do më vinin. Kur kalon një moshë, njeriu sa vjen dhe bëhet më i ndjeshëm, kërkon më shumë. Unë nuk është se ftova shumë vetë, por pashë se të gjithë më nderuan në këtë përvjetor. Megjithatë kam pasur dhe kam shumë miq", është shprehur dje ai. Mirush Kabashi, "Mjeshtri i Madh i Punës", këto kohë po punon me monodramën "Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit", një vepër që do të ngjitet së shpejti në skenën e teatrit "Aleksandër Moisiu" të Durrësit, një projekt i miratuar nga Bashkia e Durrësit. Pas monodramës "Apologjia e vërtetë e Sokratit", me të cilën mjeshtri i madh i skenës ka marrë disa trofe brenda dhe jashtë vendit, këtë radhë Kabashi ka vendosur të inskenojë rrëfimin dramatiko-lirik me titull "Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit" të shkrimtarit francez me origjinë çifute, Erik Emanuel Shmid. Drama "Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit" veç sfondit kozmopolit të harmonisë fetare, ka si mesazh mirësinë dhe dashurinë njerëzore. Toleranca, mirësjellja, ndershmëria dhe bujaria jo vetëm i japin vlerë njeriut, por për to ia vlen edhe të sakrifikosh. Kjo vepër është interpretuar në skenat më të mëdha evropiane, ndërsa mbi bazën e këtij subjekti është xhiruar një film artistik me interpret aktorin e njohur Omar Sherif, i dekoruar me këtë rast nga OKB-ja, "Për kontribut të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërfetare".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›