Bush: “Obama, i rrezikuar nga një sulm terrorist”
Në konferencën e fundit për shtyp si president i SHBA-ve, Xhorxh W. Bush tha se një sulm i mundshëm nga ana e terroristëve është kërcënimi më i madh me të cilin presidenti i ri Barak Obama do të përballet kur të vijë në Shtëpinë e Bardhë. Sipas Bushit, ende ka armiq që do të dëshironin t’i bënin keq Amerikës. Ai theksoi se përveç grupeve terroriste, Koreja e Veriut dhe Irani mbeten të rrezikshëm për Shtetet e Bashkuara. Gjatë konferencës për shtyp, ku u trajtuan shumë çështje, presidenti tha se nuk e pranonte vlerësimin sipas të cilit imazhi moral i Amerikës në botë është dëmtuar në 8 vitet e presidencës së tij. Ai tha se nuk i lejoi kritikët që ta ndalonin të vepronte ashtu siç ishte e nevojshme për të mbrojtur vendin. Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Bush u ka kërkuar rrjeteve televizive që ta lejojnë të mbajë një fjalim lamtumire drejtuar vendit të enjten.
Hilari Klinton në Senat për konfirmimin si sekretare Shteti
Hilari Klinton ka dalë dje para Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit Amerikan, në seancën për konfirmimin e saj në postin e sekretares së Shtetit. Ish-zonja e parë dhe ish-kandidatja për presidente u premtoi senatorëve një ripërtëritje të rolit udhëheqës të Shteteve të Bashkuara dhe të diplomacisë amerikane. Zyrtarët thonë se zonja Klinton do të mbështesë përdorimin e të ashtuquajturit “pushtet i zgjuar” nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe të të gjitha instrumenteve të vendit në politikën e jashtme. Shanset janë që zonja Klinton të përballet me disa pyetje të vështira lidhur me qëndrimin e administratës së zotit Obama ndaj ofensivës izraelite kundër Hamasit në Rripin e Gazës.
14 Janar 2009