“Onufri 2008”, tre artistë lënë garën një ditë para çmimit!
Tre artistë janë tërhequr me dëshirën e tyre nga gara për çmimin e parë në Konkursin Ndërkombëtar të Arteve Pamore “Onufri ‘08” vetëm një ditë para shpalljes së fituesit. Lajmi bëhet i ditur nga Galeria Kombëtare e Arteve përmes një komunikate për shtyp, ku thuhet se tashmë artistët që vazhdojnë garën për çmimin e madh të bienales “Onufri ‘08”, i cili do të shpallet sot pasdite, janë Idlir Koka, Eltjon Valle, Elsa Martini, Dritan Hyska, Heldi Pema, Pleurat Xhafa, Driant Zeneli, Gentian Shkurti, Yllka Gjollesha, Shpëtim Kërçova dhe Fani Zguro. Ky edicion i konkursit zhvillohet nën kujdesin dhe konceptimin e kuratorit italian Rikardo Kaldura. Motoja tashmë e njohur është përgjigjja artistikisht e pyetjes: “A e dini vendin ku lulëzojnë paradokset?” Për këtë arsye, ndonëse ekspozita ka qenë ndërkombëtare, janë ftuar vetëm artistë shqiptarë, në mënyrë që ata të shfaqin perceptimin e tyre mbi një realitet që e njohin, jetojnë, vuajnë e gëzojnë më mirë e më thellë se kushdo tjetër. Shpresojmë që pas dhënies së çmimit të parë të mos ndodhin përplasje dhe skandale, siç ishte ai i vjetshmi, kur konkursi u shpall i jashtëligjshëm, madje edhe fituesi i tij dhe ish-drejtori i GKA-së, Genc Mulliqi, bashkë me ministrin Pango, patën debat ligjor e mediatik me fituesin Fani Zguro, i cili sërish garon mes artistëve të tjerë në këtë edicion të “Onufrit”.
P. GROSI
14 Janar 2009