E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Hapat për një turizëm të qëndrueshëm”

 

Turizmi i qëndrueshëm dhe zhvillimi lokal në Shqipëri. Ishte kjo tema e Konferencës Internacionale që Universiteti Europian i Turizmit organizoi me universitetet më të njohura në Evropë në fushën e Turizmit në ambientet e “Tirana International Hotel”. Në këtë konferencë ishin të ftuar të mbanin relacionet e tyre disa nga docentët e njohur në rang evropian në fushën e turizmit, të cilët do të jenë pjesë e mirëfilltë e këtij universiteti, por nuk munguan të merrnin pjesë edhe autoritete të larta drejtuese të vendit tonë, të cilët ndoqën nga afër këtë konferencë. Konferenca Internacionale me temën “Turizmi i qëndrueshëm dhe zhvillimi lokal në Shqipëri”, ishte një bashkëpunim i universiteteve evropiane dhe specialistëve në fushën e turizmit, që kishte si qëllim nxitjen e zhvillimit të turizmit në Shqipëri, kryesisht Turizmin e Qëndrueshëm, i cili ndërtohet duke respektuar natyrën, shtysën që Bashkimi Evropian i jep kësaj iniciativë dhe investimet që Shqipëria ka nevojë të bëjë fillimisht në kapitalin njerëzor, si një burim strategjik i së ardhmes, ku për këtë, ato që do të japin kontributin e parë janë pikërisht shkollat e profilizuara në fushën e turizmit. Përshëndetën këtë konferencë dhe këtë iniciativë ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ish-ministri i Kulturës dhe Turizmit Besnik Dervishi, drejtori i Unitetit të Turizmit në Komunitetin Evropian, Francesco Ianniello dhe rektori i Universitetit Europian për Turizmin prof.dr. Salvatore Messina. Pango, duke uruar këtë iniciativë, theksoi se turizmi përfaqëson sektorin qendror për zhvillimin e Shqipërisë. “Eshtë e nevojshme që të investojmë në cilësinë e shërbimeve, që do të thotë investim në burimet njerëzore, të cilët do të impenjohen në këtë sektor”, shpjegoi ai. Iniciativa e Universitetit Europian për Turizmin është sigurisht e rëndësishme për këtë vend, së pari për cilësinë e pedagogëve të universiteteve evropiane, të cilat janë pjesë e këtij universiteti dhe që do të sigurojnë transformimin e nevojshëm të kompetencave të të rinjve dhe profesionisteve të Shqipërisë. Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Bujar Nishani, vuri në dukje që qeveria u ka garantuar turistëve siguri dhe se në vitin 2008 nuk u regjistrua asnjë ngjarje negative për të huajt, të cilët kaluan pushimet e tyre në Shqipëri. Ky kusht provon rritjen e sektorit të turizmit, që ka nevojë për operatorë të kualifikuar në të gjitha nivelet”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›