Shtetin e Kosovës do ta njohim më vonë
Greqia ka pohuar vendimin parimor për njohjen e pavarësisë së Kosovës, vetëm se firmën do ta hedhë në një kohë më të vonë. Këtë e bëri të ditur dje ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e vet Lulzim Basha. "Para se të marrim vendimin për njohjen e Kosovës, Greqia do të bëjë një analizë të kujdesshme të gjendjes", deklaroi të enjten në Tiranë ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis.
"Ne jemi shumë të interesuar për paqe dhe stabilitet në rajon. Siç e dini, Greqia ka ushtarë në Kosovë, që janë pjesë e KFOR-it. Ne besojmë fuqimisht se misioni politik i BE-së duhet të jetë atje dhe ne do të marrim gjithashtu pjesë edhe në këtë mision të BE-së atje. Por, vendimi për njohjen e Kosovës nuk është marrë", tha Bakojanis. Ndërsa, për sa i takon ratifikimit nga pala greke të MSA-së Shqipëri-BE, ajo tha se "ky është një prerogativ i Parlamentit grek, i cili besojmë se do ta miratojë menjëherë pas pashkëve". Gjatë takimit të tyre në selinë e Kuvendit, kryeparlamentarja Topalli tha se "është një lajm i mirë deklarata juaj se Parlamenti grek do të ratifikojë MSA-në, Shqipëri-BE menjëherë pas Pashkëve. Marrëdhëniet shumë të mira mes dy parlamenteve tona jam e bindur se do të njohin një stad të ri në një vizitë të pritshme të Kryetarit të Parlamentit grek Soufias, në Shqipëri". Nga ana e saj, ministrja Bakojanis garantoi se mbështetja e Greqisë për Shqipërinë do të vijojë të jetë e plotë dhe e gjithanshme. "Qeveria dhe Parlamenti shqiptar janë të angazhuar plotësisht në reformat integruese në strukturat euro-atlantike dhe jemi të bindur se mbështetja e Greqisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO nuk do të na mungojë", nënvizoi Kryetarja Topalli.