E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush dhe Klinton, së bashku në një debat

Ish-presidentit Bill Klinton duket se presidenca i mungon me të vërtetë shumë. "Krejt papritmas askush nuk luan më për ty qoftë edhe një këngë", tha përpara telekamerave mbrëmjen e së premtes gjatë një debati të zhvilluar në Toronto të Kanadasë, duke iu referuar "Urime Shefit", një këngë e luajtur gjatë eventeve presidenciale.

E kundërta mund të thuhet për njeriun që e zëvendësoi në Shtëpinë e Bardhë. Xhorxh Bushit duket se as që i mungon fare posti i kryetarit të shtetit. "Më në fund i lirë", tha përpara të njëjtëve spektatorë dhe të njëjtave telekamera në Qendrën e Konventave të Torontos. "Më pëlqen shumë jeta në Teksas dhe nuk më mungon aspak të qenit në qendër të vëmendjes".

Por ishte dallimi i vetëm mes asaj që u tha prej të dy ish-presidentëve ndërsa u shfaqën për herë të parë në një skenë në shoqërinë e njëri-tjetrit. Të dy diskutuan gjerësisht politikat kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Mësohet nga burime pranë organizatorëve kanadezë se të dy u paguan më shumë se 150 mijë dollarë për pjesëmarrjen në debat.

Rreth 6 mijë vetë u treguan të gatshëm të paguanin nga 2 mijë deri 2.5 mijë dollarë për të qenë të pranishëm gjatë asaj bisede, një rast i rrallë për të parë dy ish-presidentë së bashku. Njëri pasoi tjetrin në krye të shtetit amerikan, ndërkohë që të dy u përkasin forcave kundërshtare në politikë, gjë që linte të shpresohej se do të krijohej edhe ndonjë farë debati. Në vende të kësaj asistuan në një lloj miqësie të ndërsjellë që treguan dy burrat e shtetit, dikur rivalë të ashpër.

Bill Klinton e bëri të qartë që në fillim se do t‘i shmangej çdo lloj përplasjeje të ashpër me Xhorxh Bushin, duke vërejtur për të pranishmit se e dinte shumë mirë që moderatori Frenk Mekena (ish-ambasadori kanadez në Shtetet e Bashkuara të Amerikës) do të përpiqej t‘i bënte qejfin audiencës dhe t‘i nxiste rivalët të ndesheshin si gladiatorët në Koloseum, "por se ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë që kjo të mos ndodhë".

Dhe teksa qëndruan në kolltukë të rehatshëm, Bush dhe Klinton u kthyen në diçka që mund të konsiderohet grupi mbështetës i ish-presidentëve, duke shmangur çdo kritikë të drejtpërdrejtë ndaj njëri-tjetrit, ashtu si edhe ndaj anëtarit të ardhshëm të këtij klubi, Presidentit Barak Obama. "Dua të kuptoni se çdo gjë që them nuk ka pse të jetë kritikë ndaj pasuesit tim", tha Bush. "Ka kritikë me bollëk në shoqërinë amerikane".

Kur Klinton tha se një prej pengjeve të tij më të dhimbshëm qe reagimi i pakët amerikan gjatë vrasjeve masive në Ruanda, duke vërejtur se "nuk kam fjalë për të mbrojtur veten", Bush u përgjigj, "Më duket se po sillesh paksa ashpër ndaj vetvetes". Shtoi se qëndrimi i Klintonit sipas të cilit duheshin dërguar trupa linte në hije faktin se ndërhyrje të tilla nuk janë kaq të thjeshta.

Kur Bushi, në përgjigje të pyetjes së bërë nga moderatori - i cili i kishte njohur dy ish-presidentët me platformën e programit që më parë - mbi politikën amerikane në Darfur, mbrojti qëndrimin e administratës së tij gjatë atij konflikti, Klinton ia shpërbleu me të njëjtën monedhë duke thënë: "Mendoj se bëri gjithçka të mundshme".

Kur moderatori MekKena ngriti çështjen e politikës "mos pyet, mos u përgjigj" të aplikuar mbi praninë e homoseksualëve në radhët e ushtrisë, Bush tha se "Presidenti Klinton e menaxhoi në rrugën e duhur". Gjithsesi, duke mbetur në këtë temë, Klinton tha se nuk e mbështeste më atë politikë duke shtuar se martesat mes individëve të të njëjtit seks (gjë që ai e kundërshtonte) po evoluojnë.

Dy ish-shtetarët u qëndruan këndvështrimeve lehtësisht të ndryshme lidhur me embargon tregtare ndaj Kubës. Bush la të kuptohej qetësisht se ishte më pak i hapur ndaj Kubës se Presidenti Obama, ndërsa Klinton tha se kishte vend për përmirësim raportesh, duke vërejtur me shaka se këndvështrimi i tij qe "pak a shumë i ngjashëm me atë të sekretares aktuale të shtetit", bashkëshorten e tij, Hilari Klinton.

Ajo që, siç shpresonin të pranishmit, do të ndizte debatin mes dy ish-presidentëve qe tema e Irakut. Bill Klinton nënvizoi se do kishte parapëlqyer që Bushi t‘u kishte dhënë më shumë kohë inspektorëve të armatimeve të dërguar në Irak përpara se të vendoste të ndërhynte ushtarakisht, si dhe ndërkohë të "përqendrohej në Afganistan".

Bushi, pa fshehur dot një fije nervozizmi u përgjigj duke thënë "nuk jam dakord me qëndrimin tuaj sipas të cilit vëmendja jonë u shpërqendrua", fjalë përmes të cilave hidhet poshtë argumenti sipas të cilit lufta e Irakut u krye mbi shpinën e sukseseve në Afganistan.

E përditshmja amerikane, në një artikull ku pasqyronte debatin, vërente se asnjë prej të dy konflikteve nuk gëzonte popullaritet mes qindra protestuesve që qenë grumbulluar jashtë ndërtesës, duke nënvizuar se pjesa më e madhe e pakënaqësive i drejtohej Xhorxh Bushit. Pas përfundimit të debatit, edhe të pranishmit në sallë, të cilët pranuan se prezenca e dy ish-presidentëve në të njëjtin debat në të njëjtën kohë ishte diçka për t‘u mbajtur mend, u shprehën të habitur mbi nivelin e papritur të përzemërsisë mes dy burrave.

Në të vërtetë, megjithëse bëhet fjalë për një fakt të trajtuar pak në nivel mediatik, raportet mes të dyve nisën të ngroheshin gjatë gjysmës së termit të dytë presidencial të Xhorxh Bushit, pasi ky i fundit përfshiu në të njëjtën skuadër Bill Klintonin dhe babanë e vet, Bushi Plaku, në kuadrin e përpjekjeve për të lehtësuar pasojat e cunamit në Azi dhe më pas të uraganit "Katrina". Njerëz pranë Xhorxh Bushit kanë treguar se ai nisi të afrohej me Klintonin, pasi ky kishte krijuar raporte të ngushta me babanë e tij. Ndërkaq, dihet që Bill Klinton i ka ofruar vazhdimisht këshilla, madje raportohet për një drekë sekrete në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2007, ku të dy kanë diskutuar planet postpresidenciale të Xhorxh Bushit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›