Vikena Kamenica, fati i paracaktuar i një mexosopranoje
Ditët e saj janë një udhëtim i vazhdueshëm. Një rrugëtim shekuj më parë. Nën petkat e një ciganeje rebele, të një vajze gazmore, të një femre të "ngujuar" në kërkim të dashurisë, ajo provon ndjesi të gjalla. Vikena Kamenica i ka njohur që në vogëli këto femra. I ka dëgjuar historitë e tyre përmes zërit të së ëmës dhe hallës së saj. Të dyja mexosoprano. Ndërsa i ati, tenor, plotësonte kuadrin lirik. Ngjitja e saj në skenën operistike duket një fat i paracaktuar. Vetëm pak ditë më parë iu shfaq publikut si një nga gratë gazmore në "Fastaff" të Verdit. Që prej vitit 2002, kur u bë pjesë e stafit të Teatrit të Operës, ka realizuar disa produksione. Role që e kanë ndihmuar të krijojë një profil të sajin artistik. E njohur për natyrën aktive, Kamenica nuk mund të bëjë vetëm një jetë lirike. "U bënë disa vite që operën e kam primare në gjithë aktivitetin dhe karrierën time. Sigurisht pa e anashkaluar muzikën e lehtë, atë xhaz, aktivitetet, televizionet, mbrëmjet e posaçme që i ndjek me shumë kënaqësi sa herë që kam ftesa. Janë nga ato net kur ke mundësi të jetosh në liri të plotë artistike, liri që nuk ta jep as koncerti, as opera e as bashkëpunimet", tregon Vikena. Një Karmen (opera "Carmen"), një Rozina ("Berberi i Seviljas"), një Cherubino ("Dasma e Figaros"), Suzuki ("Madamme Butterfly"), Flora ("La Traviata), një grua gazmore... Është e orientuar nga personazhe të njohura dhe vepra të mëdha. "Doja të vendosja baza të mira në teatër dhe këto janë role që për një mexosoprano krijojnë një karrierë të plotë lirike", shprehet ajo. Duket se kjo moshë ia bën punën edhe më komode. Tregon se kjo zgjedhje për t‘iu përkushtuar më shumë operës erdhi nga një pjekuri moshe. Imazhi publik i Vikenës është krijuar më parë me interpretimet e saj të muzikës së lehtë, bluz. Shfaqjet e para të saj janë në moshën 16-vjeçare. Ndërsa sot, e kënaqur me zgjedhjet që ka bërë, Vikena tregon se "më përpara nuk e mendoja dot që këto role kërkonin një moshë të caktuar, nuk mund të realizoheshin në moshën 21-22 vjeçare. Atë kohë unë u mora me muzikën e lehtë, bluz, me musical si pjesë e së vetmes kompani që solli këtë gjini "Theatre Interantional Musical". Procesi për të arritur deri te një personazh, është mistik, i lodhshëm dhe i bukur. Ato ditë jeton një tjetër jetë. Ajo dhe personazhi janë një. I ka ofruar trupin, fytyrën, zërin... Ndërsa ai e udhëheq në një botë pasionesh, intrigash, idealesh apo sfidash. "Është një procedurë e bukur të punosh një vepër dhe të ndërtosh një personazh. Mundohesh të nxjerrësh nga vetja, të realizosh atë që ti nuk e ke, por që diku e ke hasur dhe duhet ta huazosh për t‘ia përshtatur personazhit tënd. Vetëm në role të tilla mund të provosh se si mund të ndjehet njeriu në një pozitë ndryshe. Si ndjehet një femër e përbuzur, një dashnore pasionante, një grua që kërkon të dashurojë etj". Gjatë një muaji apo më shumë që një vepër formësohet në Teatrin e Operës, këngëtarët lirikë e braktisin realitetin e tyre. Gjithçka të çon drejt qëllimit: personazhit. Për Vikenën, "Falstaff" ka qenë një opera specifike, e cila i ka kushtëzuar në një bashkëpunim të ngushtë me artistët e tjerë. Por nisur nga përvojat e mëhershme, Vikena kujton se "në muajin e vrullit të punës nuk jetoj më si Vikena. Kjo është e pashmangshme. Në skenë flitet për operën, në biseda me kolegët po ashtu. Edhe kur shkon në shtëpi nuk ke kohë të mendosh për asgjë tjetër". Suksesi i justifikon të gjitha. E mbrujtur me optimizëm në karakter, Vikena i bën edhe më të thjeshta ditët e saj artistike. E reflekton këtë në çdo situatë. Madje edhe në komunikimin me të tjerët. Por kjo e bën të theksojë se ajo nuk është neglizhente. "Optimizmi më jep një dorë të mirë. Këtë natyrë e kam trashëguar nga im atë. Kjo më jep mundësi të krijoj frymë pozitiviteti dhe bashkëpunimi edhe me kolegët e tjerë, për të shmangur ngërçet që zakonisht krijohen në ambiente pune. Ambicia bëhet normale, aq sa të takon për anën tënde profesionale, por të sjell diçka më shumë nga një vepër në tjetrën. Por kurrsesi nuk duhet të bëhet problematike", shprehet Vikena. Zëri i ka bërë një përcaktim të detyrueshëm për të qenë mexosoprano, të rralla ndër këngëtaret lirike. Por është e kënaqur. "Unë jam rritur me këtë lloj timbrike dhe gjithmonë më ka pëlqyer zëri i plotë dhe i ngrohtë i femrave", shprehet ajo. Teksa kthehet në realitetin e saj, atë jashtë skenës dhe personazheve të operës, projekte të tjera mbushin jetën e saj. Është një person i hapur edhe ndaj spektakleve televizive. Kujton "Ti vlen", një prodhim i "Top Channel", si një nga realizimet më të fundit. E ndonëse për shikuesit mund të ketë qenë as më pak e as më shumë se argëtim, Vikena tregon se përveç kësaj e ka përjetuar si një angazhim që mbarte edhe përgjegjësi. Në vazhdën e shfaqjeve spektakël është gjendur mjaft mirë te musical. Një gjini që herët e kërkonte të lëvrohej edhe në skenat shqiptare. Një teatër i fjalës dhe i këngës. Ka interpretuar në të parin musical të realizuar në Tiranë, "West Side Story", në rolin e Anitës. Më vonë do t‘i takonte të ishte Esmeralda krah Kuazimodos (Sidrit Bejleri) në "Notre Damme". "Unë kam qenë nga të parat që e kam kërkuar me insistim musical-in. Xhazi standard, pjesët më të famshme vijnë si materiale kryesore të veprave të kësaj gjinie dhe duke qenë se unë isha e njohur me këtë historik, dëshiroja që këto vepra të viheshin në skenë". I mëshon shumë përcjelljes së emocioneve te publiku. Nëse kjo realizohet, ky është suksesi për të. Për sa i përket kërkimit të emocioneve, Vikena është natyrë përjashtuese. "I kërkoj vetëm dhe vetëm në muzikë. Ndonjëherë më vjen edhe keq, por unë jam rritur në një ambient ku është folur vetëm për muzikë. Kur unë fillova të ndërtoja personalitetin tim, përveç ambienteve që i përkisnin artit dhe muzikës, pjesa më e madhe e shoqërisë time nuk i përkasin kësaj fushe. Është një lloj kompensimi", tregon Vikena.
Projektet e ardhshme? "Janë të shumta dhe jo vetëm në Teatrin e Operës. Vjeshta e 2009-ës dhe viti 2010 do të jenë shumë interesante".
Projektet e ardhshme? "Janë të shumta dhe jo vetëm në Teatrin e Operës. Vjeshta e 2009-ës dhe viti 2010 do të jenë shumë interesante".