E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, "ngrihet besimi i konsumatorëve"

Optimizmi i shkaktuar prej programeve për stimulimin e ekonomisë të marrë gjatë kohëve të fundit nga administrata e Shteteve të Bashkuara, e ka ngritur gjendjen e humorit të konsumatorit amerikan në nivelin më të lartë të regjistruar gjatë këtyre muajve të fundit. E dhëna vjen nga rezultati i një sondazhi të publikuar këto ditë nga disa media amerikane dhe evropiane. Ngritja e ngadaltë e besimit të konsumatorit, e cila kishte rënë në caqet më të ulëta të 28 viteve të fundit gjatë nëntorit të vitit të shkuar, shihet si një shenjë e sigurt e ringritjes së ekonomisë pas asaj krize që u konsiderua si më e rënda që prej Depresionit të Madh të viteve ‘30.

Në Sondazhin mbi Konsumatorin, të realizuar nga agjencia e lajmeve "Reuters" në bashkëpunim me Universitetin e Miçiganit, rezultonte se koeficienti i humorit të konsumatorit në ditët e fundit të muajit maj ishte 68.7, më i lartë nga ai i ditëve të para të po këtij muaji (67.9) dhe nga vlera e fundit të prillit që ishte 65.1. Rezultati i fundit ishte diçka më sipër mesatares së pritur prej ekspertëve të ekonomisë, të cilët, sipas "Reuters", mendonin se ky koeficient nuk do kalonte mbi vlerën 68.

"Krahasuar me gjendjen e ekonomisë para gjashtë muajsh, konsumatorëve u është kthyer në masë të konsiderueshme besimi", tha në një deklaratë për mediat Riçard Kurtis, drejtor i sondazhit.

Analistët e monitorojnë gjendjen e humorit të konsumatorit si një tregues shumë të saktë të prirjes së konsumatorit për të shpenzuar, gjë që përbën 70 për qind të ekonomisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë orëve të para të së premtes edhe qeveria amerikane kishte rishikuar përfundimet e veta mbi trendin e besimit të konsumatorëve, duke arritur në të njëjtin përfundim, se humori i tyre është më i mirë dhe se janë më të prirur për të shpenzuar. Njëherësh komponenti i pritshmërisë u rrit në 69.4 gjatë ditëve të fundit të majit, nga 63.1 e regjistruar një muaj më parë.

Edhe pritshmëria e besimit të konsumatorit për 12 muajt e ardhshëm është rritur që nga prilli i këtij viti, gjë që për ekspertët amerikanë tregon se masat e marra nga administrata "Obama" kanë nisur të japin fryte. "Në tërësi, të dhënat e këtij sondazhi na ofrojnë prova të dukshme që politikat e Presidentit Obama ia kanë dalë të vënë në lëvizje ekonominë dhe të rrisin pritshmërinë, duke ndikuar veçanërisht në gjendjen e humorit të konsumatorit", shtoi Kurtin.

Gjithsesi, sondazhi i "Reuters" dhe Universitetit të Miçiganit tregoi se konsumatori mbetet ende shumë nervoz lidhur me të ardhurat financiare dhe me përkeqësimin e kushteve të punës. "Pavarësisht optimizmit mbi atë që pritet të ndodhë me gjendjen ekonomike, konsumatorët e vërejnë ende me mjaft shqetësim gjendjen e tyre financiare, e cila vazhdon të mos gjejë baraspeshën e duhur për shkak të realitetit ekonomik aktual", vazhdoi Kurtin.

Konsumatorët treguan se e shihnin gjendjen financiare më të keqe se një muaj më parë. Indeksi mbi kushtet aktuale ekonomike të sondazhit "Reuters"/Universiteti i Miçiganit ra në 67.7 gjatë muajit maj, më keq nga 68.3 i regjistruar në prill. Gjithsesi është shumë më i lartë se leximi i po këtij indeksi në dhjetorin e vitit të shkuar dhe mbi parashikimin mesatar që pritej nga ekspertët. Prania e vazhdueshme e ankthit mund të ftohë hovin e shpenzimeve të konsumatorit gjatë gjysmës së dytë të vitit, duke penguar shërimin e ekonomisë në tërësi, vërejti Kurtin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›