E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, dakord për t’i vënë afate Presidentit

Presidenti i Republikës do të ketë afate të përcaktuara ligjërisht në lidhje me punën e tij për sa u përket marrëdhënieve me Kuvendin. Këshilli i Rregullores në Kuvend është mbledhur dy herë ditën e djeshme ku është debatuar në lidhje me çështjen e Rregullores së Kuvendit. Ajo që përbën diçka të re në këto mbledhje të Këshillit, është se rregullorja do të ndryshojë më shumë dhe jo vetëm në mënyrën e shqyrtimit të dekreteve të Presidentit të Republikës. Ndryshimet në Kushtetutë të bëra së fundmi imponojnë dhe drusimet në procedurat e punës së Kuvendit. Në këtë pikë, deputetët kanë kërkuar që të ketë një reflektim më të gjerë për sa u përket këtyre çështjeve në Rregulloren e Kuvendit.

Konsensusi politik

Ndërsa nuk kanë pasur kundërshtime në lidhje me ndryshimin e Rregullores së Kuvendit në lidhje me procedimin e mocioneve ndaj Kryeministrit, deputetët janë ndalur në afatet e Presidentit në raport me Kuvendin apo detyrimeve të tij ndaj Kushtetutës. Kryeprokurori ka një mandat 5-vjeçar, e po ashtu edhe shumë krerë apo anëtarë institucionesh të tjera kushtetuese që dekretohen nga Presidenti. Në këtë pikë, është kërkuar që Rregullorja e Kuvendit të përcaktojë afate për Presidentin për çdo mandat anëtari apo kreu institucioni, të cilit po i mbaron afati. Diskutimi në fjalë ka ardhur si rezultat i një dekreti të Presidentit Topi pak ditë më parë i cili dekretoi një anëtar të Komisionit të Konkurrencës, kur ai vend kishte mbetur bosh prej tri viteve. Deputetët kanë pasur debate në këtë pikë pasi sipas tyre, Rregullorja e Kuvendit rregullon marrëdhëniet e vetë Kuvendit dhe punës së tij, por jo të institucioneve të tjera. Disa prej tyre janë shprehur se tashmë po përgatitet edhe ligji organik për mënyrën e veprimit dhe funksionimit të Presidentit të Republikës, ndaj dhe të gjitha vërejtjet në lidhje me çështje afatesh apo detyrime kushtetuese të pazbatuara nga Presidenti në afate konkrete, të reflektohen në Ligjin Organik. Në këtë pikë, duket se ka pasur konsensus duke vendosur se në ligjin organik për Presidentin e Republikës, të ketë afate të përcaktuara me ligj në lidhje me punën e Presidentit në detyrime me Kushtetutën si dhe në marrëdhëniet që ka me Kuvendin. “Grupi i punës ka rënë dakord në parim që të reflektohet në lidhje me vërejtjet që kanë pasur anëtarët e Këshillit dhe pasditen e sotme pritet që të përgatitet materiali i nevojshëm. Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit nuk konsistojnë vetëm në dekretet e Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë, por për procedurat në përgjithësi, cilat janë afatet e përcjelljes së këtyre propozimeve nga kryetarët e komisioneve, koha e përfundimit të propozimeve apo dekreteve, deri në momentin e miratimit ose rrëzimin e tyre nga Kuvendi”, - ka konfirmuar Spiro Peçi. “Shumë shpejt do të dilet me një rezultat përfundimtar, por më parë duhet të gjendet fryma e konsensusit, pasi për momentin kjo është më e rëndësishme”, - tha për këtë çështje Dervishi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›