Qeveria, agjenci menaxhimi për pasuritë e mafiozëve
Qeveria ka miratuar ditën e djeshme një vendim për të ngritur një agjenci të veçantë qeveritare e cila do të administrojë të gjitha pasuritë e sekuestruara apo të konfiskuara në botën e krimit. Kjo agjenci, e cila do të quhet Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, do të marrë në dorë të gjitha pasuritë e kriminelëve të bllokuara nga drejtësia shqiptare dhe do t’i përdorë ato për qëllime të shtetit shqiptar. Pavarësisht se Shqipëria ka nënshkruar disa konventa në lidhje me luftën e terrorizmit, të cilat e lejojnë që këto pasuri t’i tjetërsojë, qeveria ka vendosur që këto pasuri të përdoren për qëllimet e shtetit. Ministria e Financave ka shpjeguar në relacionin e këtij vendimi se ky vendim do t’i hapë rrugë administrimit të pronave të sekuestruara dhe të konfiskuara në zbatim të 2 ligjeve të paketës “Antimafia”. Sipas Ministrisë së Financave, projekti në fjalë e sheh administrimin e pasurive të kriminelëve si hallkë të rëndësishme në luftën kundër financimit të terrorizmit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, projekti synon një trajtim civil të çështjes duke i kushtuar rëndësi vetëm pjesës së administrimit sa më eficent dhe transparent të pasurive të sekuestruara. Njëkohësisht, Ministria e Financave shprehet se ky administrim do të bëjë të mundur që këto pasuri të përdoren për qëllime të duhura si dhe të mos shpërdorohen. Nga ana tjetër, Ministria e Ekonomisë ka kërkuar që të ardhurat e fituara nga administrimi i këtyre pasurive duhet të ketë një përcaktim konkret. Ministria e Ekonomisë shprehet se duhet të përcaktohet se ku do të shkojnë fitimet, në buxhet apo do të përdoren nga drejtësia për të luftuar më tej krimin e organizuar. Vendimi i Këshillit të Ministrave ka përcaktuar edhe strukturën e re të kësaj agjencie. Ajo do të përbëhet nga ekspertë të njohur të fushës ligjore dhe financiare. Njëkohësisht, Këshilli i Ministrave do të miratojë edhe drejtuesit e kësaj agjencie. Ministri i Financave do të ketë të drejtën të emërojë apo shkarkojë kryeadministratorin, i cili do të ketë disa detyra. Ai do të drejtojë punën e këtij institucioni si dhe do të japë llogari në Ministrinë e Financave në lidhje me çdo çështje. Kryeadministratori do të përcaktojë dhe miratojë një rregullore të brendshme si dhe do të përfaqësojë institucionin e tij në marrëdhënie me palët e treta.
Komisioni për Reformën Zgjedhore mblidhet sot
Komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore i votuar nga Kuvendi do të bëjë mbledhjen e tij të parë ditën e sotme, i cili do të drejtohet nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kuvendi përcaktoi vetëm një muaj afat për punën e këtij komisioni të posaçëm i cili do të hartojë të gjitha detajet në lidhje me Kodin Zgjedhor. Komisioni do të ketë dy bashkëkryetarë dhe do të ketë gjithsej 9 anëtarë, sipas numrit të grupeve parlamentare në Kuvend. Ilir Rusmali nga PD-ja dhe Fatmir Xhafaj nga PS-ja do të jenë dy kryetarët e komisionit. Në bazë të vendimit të marrë nga deputetët, asnjë vendim i marrë nga komisioni nuk do të jetë i vlefshëm nëse nuk do të ketë bekimin e dy partive të mëdha. “Mbledhjet e Komisionit janë të vlefshme kur anëtarët që marrin pjesë në to përfaqësojnë shumicën e vendeve të Kuvendit. Vendimet në Komision merren kur votat pro përfaqësojnë shumicën e vendeve në Kuvend, kur në çdo rast kanë votuar pro, me unanimitet dy bashkëkryetarët e Komisionit”, - përcaktohet në pikën gjashtë të vendimit.