Kushtetuta, gati në muajin prill
Kushtetuta e Kosovës do të miratohet me procedurë të veçantë në fillim të prillit. Kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuçi, tha se në projektligjin final janë përfshirë vërejtje dhe sugjerime cilësore nga qytetarët. Komisioni Kushtetues është në fazën përfundimtare të plotësimit të projektkushtetutës me vërejtjet dhe sugjerimet e qytetarëve, të institucioneve dhe të subjekteve, që kanë dalë në debatet e organizuara për këtë dokument. Kryetari i këtij komisioni, Hajredin Kuçi, tha se shumë prej vërejtjeve dhe sugjerimeve janë pozitive dhe e kanë ngritur cilësinë e dokumentit të Kushtetutës. "Jemi në fazën e plotësimit të këtyre vërejtjeve dhe sugjerimeve, për çka do të falënderojmë të gjithë qytetarët për ndihmesën e tyre dhe natyrisht do t‘i publikojmë vërejtjet dhe sugjerimet me emër të kujt janë pranuar", ka sqaruar Kuçi. Projektkushtetuta do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për miratim me një procedurë më të veçantë, pra jo siç bëhet procedimi i projektligjeve apo i çështjeve të tjera.