E Diel, 1 Nëntor 2026

Bush organizon nesër në Shtëpinë e Bardhë një ceremoni të jashtëzakonshme për të firmosur Protokollin e Anëtarësimit të vendit tonë në NATO

Presidenti Bush do të organizojë nesër një ceremoni zyrtare ku do të firmosë Protokollin për Anëtarësimin e vendit tonë në NATO. Kjo ceremoni do të jetë e përmasave të jashtëzakonshme dhe e para e këtij lloji.
Nënshkrimi i Presidentit amerikan, vjen pas vendimit të rreth një muaji më parë që mori Senati i SHBA-ve, i cili ratifikoi me votë unanime Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
E veçanta e kësaj ceremonie, ka të bëjë me faktin e organizmit të saj. Një ceremoni e tillë, është e para që zhvillohet nga Shtëpia e Bardhë, dhe se herë tjetër, nënshkrimi i protokolleve, është bërë larg ceremonive zyrtare.
Një zgjedhje e tillë e Presidentit amerikanë Xhorxh Bush, veç një akti simbolik, është edhe një vlerësim dhe mbështetje për Kroacinë dhe Shqipërinë, në përgjithësi, por edhe për qeveritë e tyre, në rrugën e anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut Verior edhe me vendet të gadishullit të Ballkanit.
Në ceremoninë e nënshkrimit, mësohet se do të jenë të pranishëm, edhe senatorë e kongresmenë amerikanë, anëtarë të komisionit të jashtëm të Senatit të SHBA-ve, përfaqësues të trupit diplomatik, miq dhe dashamirës të të dy vendeve.
Rreth një muaj më parë, Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ratifikoi Protokollin për Anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
Ratifikimi i këtij protokolli nga SHBA-të, i hap rrugë procesit të përshpejtuar të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, pas ratifikimit edhe nga vendet anëtare dhe anëtarësimit me të drejta të plota të Shqipërisë e Kroacisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut.
Shqipëria mori ftesën për anëtarësimin në NATO në samitin e Bukureshtit më 3 prill 2008. Më 9 gusht të këtij viti, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan në Bruksel Protokollet e Anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Deri tani parlamentet e Hungarisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë, Rumanisë dhe Senati i SHBA-ve, kanë ratifikuar protokollin e Shqipërisë në NATO. Nënshkrimi nga gjithë vendet anëtare pritet të përfundojë para samitit të ardhshëm në pranverë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›