E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo, betejë e hapurme arbitrat e Spanjës

MADRID- Mes Zhoze Murinjos dhe arbitrave spanjollë, tashmë duket një betejë e hapur. Deklaratat e bëra nga portugezi në fund të barazimit 1-1 me Almerian, kur ai tha se gjyqtari Perez Lasa nuk duhet të arbitronte më, kanë bërë që arbitrat të kërkojnë hapjen e një procedimi disiplinor ndaj tij. Kjo nismë e ndërmarrë ditën e mërkurë duket se e ka acaruar akoma më shumë trajnerin e Realit të Madridit, që në konferencën për shtyp para derbit me Atletikon në Kupë, ka akuzuar sërish Perez Lasën, se nuk i dha dy penallti skuadrës së tij ditën e diel. “Pësuam një gol në pozicion jashtë loje, - tha Murinjo, që më pas shtoi me sarkazëm. – Pas ndeshjes, kërkova që të na gjykonte ky arbitër në çdo ndeshje, sepse është fantastik dhe e dua shumë. E them këtë meqë jam gjithnjë kundër arbitrave spanjollë dhe i kritikoj ata përherë. Por, nëse ai është i ndershëm siç jam dhe unë, dhe nëse e ka parë ndeshjen siç e kam parë edhe unë, në fillim në fushë dhe më pas në televizion, atëherë do ta kuptojë se penalltitë që nuk u dhanë, ekzistonin të dyja”, - deklaroi portugezi. Më tej, Murinjo i kërkoi gjyqtarit Perez Lasa që të kërkonte falje. “Nëse kanë përulësi, gjë që duket se nuk ekziston tek arbitrat, le të vijë dhe të thojë që ishin dy penallti dhe unë gabova. Vetëm kaq dhe çdo gjë është në rregull”. Reali barazoi 1-1 të dielën ndaj Almerias në transfertë, duke mbetur 4 pikë larg Barcelonës, e cila fitoi 4-1 me Malagan. Përpos gabimeve të gjyqtarit, në qendër të vëmendjes përfundoi edhe Murinjo, pasi ai la në stol sulmuesin e vetëm të ekipit Karim Benzema. Këto probleme, por edhe përplasjet me drejtorin e përgjithshëm Horge Valdano, kanë bërë që mediat spanjolle të shkruajnë se portugezi do të largohet nga Reali në fund të këtij sezoni. Për momentin duket vetëm një hipotezë, por duke parë se gjërat nuk po shkojnë aspak mirë, ndoshta Murinjo mund të largohet me të vërtetë.
(Altin Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›