E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Blater te “Topi iArtë”, Maradona kapër të gjithë

ARGJENTINE- Akuza kundër FIFA-s, vlerësim për Lionel Mesin dhe polemika me të gjithë. Diego Armando Maradona nuk ka ngurruar edhe këtë herë të shkaktojë debate me fjalët e tij, në prag të një ndeshjeje mes ish-yjeve të Kolumbisë dhe yjeve të Argjentinës. Maradona e quajti këtë takim një mundësi për t’u hakmarrë për disfatën e vitit 1993, para Kupës së Botës në Amerikë, kur Kolumbia e mundi Argjentinën 5-0. Pyetjes nëse kjo ndeshje është një shans për hakmarrje, Maradona u përgjigj. “Po, unë e shoh kështu. E mbaj mend atë ndeshje, Rinkon kalonte në të djathtë dhe ai maskara ishte si gazelë, ishte e pamundur ta ndaloje. Asprija ishte si Henri apo si Ueah. Ata e çonin topin ku të donin, ishin të pandalshëm”, tha Maradona duke kujtuar atë sfidë. Ai foli sërish për largimin nga kombëtarja, por këtë herë duke e quajtur atë një kapitull të mbyllur. “Koha e mërzisë ka mbaruar, vajzat e mia më çanë kokën që të gëzohesha për 50-vjetorin, por unë nuk isha në formë, sepse gjithnjë mendoja se duhet të kishim fituar në Afrikë”, deklaroi ish-trajneri i Argjentinës.

Në fillim të janarit u përfol se ai do të merrte drejtimin e Fulhamit në Angli. “Unë kam respekt për trajnerin e Fulhamit dhe dua që ai ta dijë këtë. Nuk jam nga ata tipa që ulet në tribunë dhe pret që skuadra të humbasë, në mënyrë që të zërë vendin në pankinë. Nuk i bëj këto gjëra dhe nuk kam dëshirë që të m’i bëjnë mua”, shtoi Maradona. Në lidhje me Topin e Artë, të fituar nga Lionel Mesin, ai tha se sulmuesi argjentinas e meritonte. “Nëse do të kishte Tre Topa të Artë, duhet të merrnin secili nga një, por ka vetëm një dhe atë e mori më i miri, - komentoi Maradona. – Ksavi luan si një manual, ndërsa për Iniestën nuk e mbaj mend sesa ndeshje iu deshën për të shënuar golin e parë. Vërtet Spanja u shpall kampione e botës, por Argjentina ka futbollistin më të mirë në botë”, shtoi ish-trajneri i Argjentinës. Në lidhje me FIFA-n, Maradona nuk i kursen asnjëherë akuzat. “Nëse më duhet të edukohem që të bëhem e familjes së FIFA-s, më mirë preferoj injorancën, - tha Maradona. – Blateri është një i paedukuar, që nuk ka shkelmuar kurrë një top në jetën e vet”, shtoi argjentinasi.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Nga Blater te “Topi i Artë”, Maradona ka për të gjithë

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›