E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon afati, Berisha: “Rama të pranojë ofertën time për krizën politike”

Pas darkës së Strasburgut, politika shqiptare është ende larg kompromisit

Eljona Ballhysa
Në përfundim të afatit dyjavor të vënë nga ndërkombëtarët për zgjidhjen e krizës politike në vend, kryeministri Berisha i bën thirrje Ramës që të pranojë ofertat e maxhorancës. Gjatë një deklarate për mediat, kreu i qeverisë u shpreh se maxhoranca nuk ka asnjë detyrim ligjor që të plotësojë kushtet dhe kërkesat e Partisë Socialiste. Ai i bëri thirrje opozitës dhe kryetarit të saj, Edi Rama, që të pranojë paketën me ofertat e propozuara nga PD-ja për zgjidhjen e krizës. Megjithëse nuk dha detaje se çfarë përmban kjo paketë, kreu i qeverisë nënkuptoi propozimet e bëra publike gjatë kësaj periudhe, çka përfshin pjesëmarrjen e opozitës në komisionin hetimor parlamentar, hetimin e kutive të materialeve zgjedhore, djegien e fletëve të votimit, marrjen e një opinioni nga Komisioni i Venecias, si dhe hartimin e amendimeve të reja të Kodit Zgjedhor.
Thirrja
“Ajo çka dua të theksoj këtu - dhe besoj se përgjigjet janë dhënë të qarta - e ftoj zotin Rama që me realizëm, me vështrim dhe analizë realiste, në interesin më të mirë të partisë që përfaqëson, të mos refuzojë paketën e ofertës së maxhorancës, e cila udhëhiqet fund e krye nga respekti i palëkundur për opozitën, rolin dhe bashkëpunimin me të. Në këtë ofertë, cilido që e shqyrton, konstaton se kjo maxhorancë nuk ka asnjë detyrim ligjor për asnjërën nga premtimet e kësaj oferte, por kjo maxhorancë e bën atë në respektin më të madh për opozitën dhe interesin më të mirë të shoqërisë dhe të vendit”, - është shprehur kreu i qeverisë. Burime nga Partia Socialiste bënë të ditur se nuk ka asnjë paketë të re të propozuar nga Berisha. Ndaj dhe bëhet fjalë për ofertat e bëra publike deri tani. Por duket se i gjithë kompromisi ka ngecur pikërisht te pika 6 e nenit 168 të Kodit Zgjedhor, që parashikon djegien e fletëve të votimit në momentin e shqyrtimit të kutive me materialet zgjedhore. PD-ja kërkon pikërisht zbatimin e kësaj pike, ndërsa socialistët kanë kërkuar që të pezullohet djegia e fletëve të votimit deri në përfundim të hetimit të procesit zgjedhor. Kjo ofertë është diskutuar gjerësisht gjatë vizitës që ekspertët e BE-së zhvilluan në Tiranë rreth një javë më parë. Gjer nga ajo kohë palët jo vetëm që nuk kanë avancuar me negociata, por e kanë ashpërsuar më shumë tonin e deklaratave publike duke bërë ultimatume për zgjidhjen e krizës.
Samiti
Gjatë deklaratës për mediat, kreu i qeverisë ka përshëndetur punimet e Samitit të Sarajevës, duke e cilësuar atë një eveniment historik për Shqipërinë dhe Ballkanin në tërësi. “Një eveniment historik për Ballkanin. Sarajeva është një mbështetje e fuqishme për aspiratën për procesin e integrimit të vendeve dhe kombeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, është një rikonfirmim i frymës së samitit të 10 viteve më parë, është dëshmi e vendosmërisë së vendeve anëtare të Bashkimit Europian për të mbështetur fuqishëm vendet tona në procesin e integrimit. Dua të falënderoj me shumë mirënjohje Presidencën spanjolle, të gjithë ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe përfaqësuesve të këtyre vendeve në Sarajevë, të cilët, me deklaratën që miratuan i kanë dhënë një mbështetje të re, të madhe, një inkurajim të ri, të madh, shndërrimit në realitet të ëndrrës më të bukur të qytetarëve të vendeve tona, të ëndrrës europiane. Mendoj se veçimi i Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, mbështetja që iu dha vendimit të Komisionit Europian për heqjen e vizave ishte pa dyshim mesazhi më i shkëlqyer që kancelaritë e vendeve anëtare të BE-së u japin shqiptarëve nëpërmjet ministrave të tyre të Jashtëm”, - është shprehur Berisha.

Ambasadori i OSBE-së, Bosh: “Forconi ligjin kundër dhunës në familje”

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, i pranishëm në konferencën me temë “Sfidat për kapërcimin e stereotipave gjinorë", kërkoi gjatë fjalës së tij që qeveria të forcojë ligjet kundër dhunës në familje. “Barazia gjinore sjell stabilitetin në shoqëri, ndaj nuk duhet të ketë asnjë lloj diskriminimi të grave. Duhet ndërtuar një mekanizëm kombëtar për promovimin e grave”, - tha ambasadori Bosh. Ai gjithashtu vuri në dukje se edhe numri i grave në politikë vazhdon të mbetet ende i ulët. Konferencën e përshëndeti dhe kryeministri Sali Berisha. Duke u fokusuar te tema për barazinë gjinore, kreu i qeverisë, Sali Berisha, deklaroi se “barazia gjinore është kushti i të gjitha kushteve për të pasur një shoqëri të emancipuar dhe për një zhvillim të vërtetë social”. Në këto kushte ai siguroi se “qeveria do të bëjë çdo përpjekje që të luftojë me sukses pasojat e një stereotipi gjinor nga i cili shoqëria shqiptare duhet të çlirohet sa më shpejt”. Sipas tij, “në administratë janë luftuar stereotipat ku gratë dhe vajzat binin pre e padrejtësive”.
Por, problemi kryesor, sipas Berishës, vazhdon të mbetet dhuna në familje. “Krimi në familje është krimi më i shëmtuar. Qeveria do të marrë çdo masë dhe do të miratojë me ashpërsi ligjet për të parandaluar dhunën në familje. Ndaj krimit në familje duhet të forcojmë rreptësinë e ligjit”, - theksoi Berisha.

4 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›