Bushati: Investimet Publike, në interes të familjes kryeministrore
Nënsekretari për Programin në PS, Ervin Bushati deklaroi se investimet me fondet publike nuk i adresohen aspak zbutjes së varfërisë në vend. Sipas tij, këto investimet publike nuk shkojnë në dobi të interesave publike, por në interes të familjes kryeministrore dhe të miopisë elektorale. Qeveria është e shurdhët përballë vështirësive ekonomike që kanë shumica e familjeve shqiptare; me më pak mundësi punësimi për të siguruar një jetesë dinjitoze nga puna e tyre, u shpreh Bushati.
Ai deklaroi se këto fonde publike, të taksapaguesve shqiptare, shpërdorohen në vend që të investohen në një mënyrë më efikase për të stimuluar ekonominë dhe për të ulur nivelin e varfërisë në vend. Sipas konstatimeve të bëra, Bushati deklaroi se 3.2% e Prodhimit të Përgjithshem Bruto, sot shkon vetëm për segmentin Rrëshen Kalimash vetëm në këtë vit. Kjo shumë është sa investimet e 25 viteve bashkë në Bujqësi, aktivitet ekonomik me të cilin sot mbijeton gjysma e banorëve të vendit, tha Bushati. Sipas tij, sot fondet publike shpërndahen pa pasur kriter të mirën publike të shumices se popullatës. Këto para të shqiptarëve janë edhe këtë vit pre e abuzimit dhe korrupsionit qeveritar që nuk do tja dijë për varferinë e qytetarëve të vet. Në shumë raste fondet publike shkojnë për reklama të qeverisë dhe projekte që shpërdorojnë besimin e votuesve ndaj klasës politike që sot po keqqeveris, tha Bushati, duke nënvizuar se është në nderin e kësaj qeverie të bëjë publike sa para tonat do të harxhohen në total deri në 28 Qershor për reklama, të cilat sot vërtetojnë dështimin e qeverisë që mundohet të na mbush mendjen me fjalë dhe jo me vepra. Bushati deklaroi se Partia Socialiste do të ketë në qendër të programit të saj qeverisës, uljen e ndjeshme të varfërisë nëpërmjet një planifikimi ekonomik më të qartë dhe në dobi të interesit të përgjithshëm të banorëve të vendit.