Minxhozi: Projektet e qeverisë për energjinë, vetëm në letër
Deputeti i Partisë Socialiste, Qemal Minxhozi deklaroi se Shqipëria renditet e fundit në rajonin e Ballkanit për furnizim të popullatës me energji. Minxhozi ka konstatuar se energjia elektrike vazhdon të mbetet një problem në vendin tonë, sidomos në veri të vendit. Pavarësisht përmirësimit të situatës së motit, deputeti Minxhozi tha se ka ende fshatra që nuk kanë energji. Ai deklaroi se fshati Gjalsh është vetëm 25 km larg Burrelit, dhe prej një jave nuk ka energji.
Edhe sot që flasim gjendja është e njëjtë, u shpreh ai, duke vijuar se aty nuk banojnë 10 apo 20 vetë, por rreth 500 banorë. Minxhozi ka konstatuar se e njëjta situatë ka qenë deri para dy ditësh në fshatin Xibër Murrizë, ku rreth 800 banorë kanë jetuar në ferr për një javë. Minxhozi bëri të ditur se bllokimi nga dëbora për 10 ditë si dhe mungesa e stërzgjatur e energjisë ka bërë që njerëzit të jenë të izoluar nga gjithçka. Ai vuri në dukje se janë bërë premtime për vënien në punë të remonteve, por kjo situatë vazhdon, ndërkohë që edhe e gjithë zona e Martaneshit është pa drita. Minxhozi deklaroi se në fshatin Bruç të Matit tensioni është tepër i ulët dhe banorët nuk mund të lidhin televizorin vetëm me ndihmën e stabilizatorëve. Çdo verë premtohet përmirësimi i furnizimit me energji elektrike, dhe kur vjen dimri premtimet e verës janë fashitur, u shpreh deputeti socialist, duke vijuar se çdo dimër premtohet se në verë do ketë furnizim më të mirë me ujë të pijshëm, e vera vjen dhe e njëjta situatë. Minxhozi ka vënë në dukje projektet shumë të përfolura të vendit tonë të prodhimit të energjisë nga era apo burime bërthamore. Por ato janë vetëm fjalë. Përpara se ne të ndriçojmë Ballkanin, të ndriçojmë njëherë vendin tonë, u shpreh Minxhozi.