Bushati: Letra,paralajmërim për Qeverinë e Berishës
Deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, reagoi dje për letrën e dërguar nga ndihmëssekretari Gordon drejt Qeverisë shqiptare në lidhje me qëndrimet e ambasadorit Uidhers mbi politikën e brendshme. Sipas Bushatit, kjo letër është një paralajmërim për Qeverinë e Berishës. "Konsiderojmë në të njëjtën kohë se mesazhi i Departamentit Amerikan të Shtetit është një paralajmërim i qartë ndaj aventurës së Sali Berishës për të vënë nën kontrollin personal çdo qelizë të shtetit të së drejtës, përfshirë edhe Shërbimin Informativ Shtetëror", tha Bushati. Ai deklaroi më tej se qëndrimi i ambasadorit të ri Arvizu dhe atij në ikje Uidhers janë si dy pika uji në lidhje me politikën shqiptare. "Ankesat e Qeverisë shqiptare ndaj qëndrimeve të Ambasadorit të SHBA-ve dëshmojnë një sharlatanizëm politik dhe mungesë sensi e përgjegjësie kombëtare, kur dihet nga praktika e marrëdhënieve ndërkombëtare se një ambasador përfaqëson qëndrimet dhe pikëpamjet e vendit të vet", shtoi Bushati. Ai tha më tej se këto veprime të Qeverisë janë të dënueshme në raport me aleatin kryesor të vendit, SHBA-ve. "është e pafalshme që Sali Berisha me praktikat okulte të '96-'97, përdori Lulzim Bashën në 2008 dhe Ilir Metën në 2010, respektivisht me administratën Bush dhe Obama, për t'u ankuar ndaj përfaqësueve diplomatikë të SHBA-ve, të cilët kanë dhënë një ndihmë të pakursyer ndaj vendit dhe kombit tonë qysh nga ekzistenca e shtetit shqiptar", shtoi deputeti socialsit, Bushati.