E Diel, 1 Nëntor 2026

Rriten tarifat e shkollimit për të gjitha degët sa norma e inflacionit. Ja sa do paguajnë studentët Rriten tarifat për në universitete Fakulteti më i shtrenjtë është Mjekësia, Juridiku më i liri

Rriten tarifat vjetore të shkollimit për studentët. Ndryshe nga sa deklaroi Kryeministri Sali Berisha pak javë më parë, ata që nisin studimet këtë vit do të paguajnë më shumë.

Nuk bëhet fjalë për ndonjë shtesë të madhe, por gjithsesi ajo varion nga 330-660 lekë. Gazeta zbardh vendimin e Qeverisë, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare. Po kështu për herë të parë publikohet kostoja që i kushton shtetit çdo vit, një student sipas degëve të fakultetit ku studion. Fakulteti më i shtrenjtë mbetet Mjekësia. Për një vit akademik kostoja e një studenti shkon 299,928 lekë. Ndërsa çdo maturant që do ulet në auditorë për degët e këtij fakulteti do të paguajë 25.550 lekë, pjesën tjetër e rimburson shteti për aq kohë sa universitetet janë publike. Kjo tarifë nuk është më e larta, pasi për degë të tjera që kanë kosto vjetore më të ulët si ato të Fakultetit të Shkencave Sociale tarifa shkon plot 30.660 lekë. Fakultetet më të lira janë ato të rretheve, por edhe disa degë në Universitetin e Tiranës si Drejtësia, me një kosto vjetore për student rreth 54 mijë lekë apo degët e Fakultetit të Ekonomisë me rreth 73 mijë lekë. Universitetet kanë propozuar vazhdimisht rritje të tarifave, çka në dy vitet e fundit nuk është pranuar nga Qeveria. Edhe këtë vit kreu i saj deklaroi publikisht se tarifat do të mbeten të njëjta. Por nga sa duket në tabelë, nuk i kanë shpëtuar një shtese deri në 660 lekë. Sipas vendimit të Qeverisë, prej tyre përjashtohen disa kategori studentësh. "Kandidatët që fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi të ciklit të parë, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin e ri akademik 2010-2011 dhe që vijnë nga këto shtresa sociale si: të verbër/të shurdhër, invalidë paraplegjikë dhe tetraplegjikë, studentë me aftësi të kufizuara, fëmijë romë, ballkano-egjiptianë apo fëmijë të policëve të rënë ose të plagosur për shkak të detyrës, e të ish-të përndjekurve politikë, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit. Nga kjo tarifë vjetore shkollimi përjashtohen edhe studentët e viteve më të larta, që vijnë nga këto shtresa sociale", thuhet në vendimin e Qeverisë. Sipas tij, studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Studenti përsëritës i nënshtrohet tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik, në të cilin vazhdon studimet. Ndërkaq, për çdo program studimi në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, në vitin akademik 2010-2011, 5 (pesë) studentët e vitit të parë, me rezultatet më të larta në plotësimin e kritereve të pranimit (pikët e fituara në sistemin meritë-preferencë), në programin e studimit përkatës, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit. Këtë përjashtim, në asnjë rast nuk e përfitojnë studentët me notë mesatare të shkollës së mesme më të ulët se nota 9 (nëntë).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›