E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i diplomacisë hedh poshtë lajmin e letrës dërguar Sekretares së Shtetit, Klinton Ambasadorët, Meta: S’ka letër “Me Uidhers jemi ndarë me dashuri në darkë lamtumire”

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, tha dje se nuk ka dërguar asnjë letër në departamentin e shtetit për ambasadorin amerikan, Uidhërs.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, kreu i diplomacisë shqiptare tha se publikimet në media janë sajesa. "Mund t'ju them se nuk ka asnjë letër zyrtare drejtuar cilitdo shtet jashtë, ku të jemi ankuar për ndonjë ambasador apo diplomat këtu në Shqipëri. Por, është e drejta e kujtdo të prodhojë lajme", - u shpreh Meta. I pyetur për marrëdhëniet e ambasadorit Uidhërs, mandati i të cilit sapo ka mbaruar, ministri i jashtëm tha se ato janë shumë të mira. "Vlerësimet për ambasadorin Uidhërs janë shumë të mira. Sapo kemi pasur një darkë lamtumire përpara se të nisja këtë tur vizitash në Lindjen e Mesme dhe jemi ndarë me shumë dashuri me njëri-tjetrin për t'u ritakuar së shpejti. Vlerësimet janë maksimale për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është aleati ynë kryesor strategjik. Marrëdhëniet kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithnjë e më të shkëlqyera", - u shpreh Meta.
Dy ditë më parë, "Top Channel" publikoi përmbajtjen e një letre që ndihmëssekretari amerikan i shtetit për çështjet evropiane, Philip Gordon, i kishte dërguar Qeverisë shqiptare, ku shprehej se sekretarja Hillari Klinton, por edhe ai, kanë besim tek puna që ka bërë Uidhers në Tiranë, duke shprehur se puna e tij ka shërbyer për rritjen e marrëdhënieve mes dy palëve. Kjo letër vinte si përgjigje ndaj letrës dërguar nga ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ku shpreheshin ankesa për qëndrimet e ambasadorit Uidhers. Në letër thuhet se ambasadori amerikan në Tiranë ka një përvojë të gjatë dhe puna e tij ka shërbyer në forcimin e idealeve të demokracisë e lirisë. "Sekretarja dhe unë kemi besim të plotë tek ambasadori Uidhers, në punën që ai po bën për të çuar përpara marrëdhëniet tona dhe ndihmën për Shqipërinë në realizimin e potencialit të saj të plotë. Përkushtimi i tij ndaj idealeve të demokracisë dhe shtetit ligjor përgjatë 26 vjetësh shërbimi të shquar kanë luajtur rol thelbësor në arritjen nga ana e Shqipërisë të anëtarësimit në NATO dhe respektimit të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO", - thuhej në letrën e ndihmëssekrekarit Gordon, sipas "Top Channel". Në lidhje me qëndrimet e ambasadorit amerikan për emërimet në gjykata, ku konsiston ankesa e Qeverisë shqiptare, ndihmëssekretari Gordon shprehet në mënyrë të prerë si edhe ambasadori Uithers se: "ne mbështesim një transparencë të plotë të procesit të emërimit dhe konfirmimit të gjykatësve".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›