Jakaj: Çmimi i barnave është ulur deri në 25%
"çmimi i barnave nuk është rritur, përkundrazi ka pësuar rënie me 20 deri në 25 %". Këtë deklaratë bëri dje drejtori i Qendrës së Kontrollit të Barnave, Besnik Jakaj, i cili hedh poshtë lajmet e pasakta të transmetuara së fundi, të cilat u referohen të dhënave të INSTAT. Sipas Jakaj, studimi i publikuar nuk ka të bëjë me të dhënat e INSTAT për çmimet e barnave. "Ne u konsultuam me specialistët e INSTAT dhe ata na vunë në dispozicion të dhënat që kanë lidhur me çmimin e barnave. Ato të dhëna janë të njëjta me tonat, ndaj në këtë rast kemi të bëjmë me një deformim të shifrave nga personat që i kanë publikuar", tha Jakaj. Sipas tij, efekti i uljes është ndjerë në treg, por çmimet mund të luhaten si pasojë e blerjes së ilaçeve me euro dhe shitjes me lekë. "Si pasojë e shtimit të alternativave dhe rritjes së numrit të barnave dhe alternativave në treg, çmimi ka ardhur në ulje deri në 25%. Por duhet të keni të qartë që çmimi cif është në euro, ndërsa në Shqipëri shitet në lek. Kur ka raport inflacioni dhe luhatje të lekut me euron ka ndryshim çmimi. Rënien e tij mund ta shohim duke marrë të njëjtat barna dhe duke bërë krahasimet e çmimet sa kanë qenë 3-5 vjet më parë dhe sa janë tani", tha drejtori i QKKB. Përsa i përket abuzimit me çmimin e ilaçeve nga farmacistet, kreu i Qendrës së Kontrollit të Barnave sqaroi se kur medikamenti shoqërohet me pullë, atëherë cmimi është i vendosur tek ne, ndërsa produkte të kompanive të ndryshme farmaceutike kanë çmime të ndryshme. Jakaj tha se gjatë kontrolleve të ushtruara janë ndëshkuar 12 subjektet farmaceutike, të cilat kanë rezultuar me shkelje. "Si pasojë e shtimit të alternativave kanë pasur mungesë të drejtuesit teknik, apo raste të tregtimit të barnave pa pullën e kontrollit. Në këto dy muaj kemi penalizuar 12 subjekte", tha Jakaj. Ai shtoi se kontrollet do të vazhdojnë dhe nuk do të lejohen abuzimet. "Të gjithë shkelësit e ligjit do të ndëshkohen nga gjobat deri në heqje të licencës", tha Jakaj.