E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB: Rezervat e drithit do të lehtësojnë krizën



Moti ekstrem në Rusi dhe Kanada, dy nga eksportuesit më të mëdhenj të grurit, ka sjellë në panik tregjet ndërkombëtare. Sidoqoftë, për FAO, (Agjencisë së OKB për Ushqimin), rezervat do të lehtësojnë krizën e drithit. Eksperti i ekonomisë të FAO në Romë, Abdol Reza Abassian, thotë për BBC-në se gjendja e krijuar mund të sjellë vështirësi serioze. "Kur flitet për rezerva ushqimi, rezervat e grurit, që është ushqim i rëndësishëm, gjendja është emergjente në një vend të rëndësishëm ku prodhohen drithëra, Rusi, që do të thotë se shumë rezerva që u krijuan gjatë viteve, tani pritet që të konsumohen". Sipas tij, "do të ketë rënie të rezervave deri në fund të sezonit, deri në fund të vitit 2011". Kjo gjendje ka sjellë edhe reflektim në treg: rënia e prodhimit të drithërave po bën që çmimet të rriten.
Por zyrtarët e OKB-së thonë, megjithatë, se kjo gjendje mund të tejkalohet duke u mbështetur në rezervat globale. "Për momentin bota mund të mbështetet te rezervat, sidomos në SHBA dhe BE, por edhe nga eksporti që mund të vijë nga Australia dhe një pjesë edhe nga Argjentina", thotë zyrtari i FAO-s. Për momentin këto vende do të zëvendësojnë deficitin e krijuar nga rënia e prodhimit në Rusi, megjithatë zyrtarët thonë se gjendja është nën kontroll të vazhdueshëm.
Por a mund të sjellë kjo gjendje e tanishme, pamjet e 50 viteve më parë, kur kishte mungesa serioze ushqimi dhe kur njerëzit, por edhe qeveritë ishin të detyruara të merrnin masa shtesë? Zyrtari i FAO-s, Abassian, është optimist se gjendje të tilla vështirë se do të rikthehen. "Sot ka rreth një miliard njerëz që vuajnë për ushqime, por ka edhe shumë ushqime. Pra, ushqimi nuk është problemi, sa është qasja tek ushqimet - thotë ai. - Sa u përket parashikimeve afatgjata, ne nuk jemi të shqetësuar, shqetësime mund të ketë nëse nuk bëhet asgjë, sidomos edhe për shkak të ngrohjes globale, atëherë mund të ketë shqetësime, por kjo nuk do të ndodhë - thotë ai dhe shton. - Gjendja e sotme ngre alarm, por ne do ta përballojmë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›