E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushati: “Në Shqipëri ka rënë fuqia blerëse”



Partia Socialiste akuzon qeverinë se me dështimin e saj ka varfëruar gjithnjë e më tepër shqiptarët. Nënsekretari për Programin në Partinë Socialiste, Ervin Bushati, tha se shqiptarët gjatë vitit 2008 konsumuan më pak dhe paguan më shtrenjtë se në vitin 2005. “Sasia e ushqimeve dhe mallrave të ardhura nga jashtë për vitin që lamë pas ishte më e ulët, por çmimet e tyre ishin 75% më shumë se në vitin 2005. Çmimet e mallrave të konsumit janë rritur mesatarisht me 25% në vit nga 2005-a, sipas të dhënave të fundit për importet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Qeverisja e mangët dhe prania e monopoleve në treg të bekuara nga qeveria kanë bërë që gjithçka që blihet të jetë tepër e shtrenjtë”, - tha Bushati. Ai fajësoi dështimin e qeverisë, gjë që ka sjellë rënien e fuqisë blerëse në treg. “Qeveria bën shurdhin përballë rënies së fuqisë blerëse duke vazhduar të shpërdorojë para publike në propagandën e kotë, pasi çdo shqiptar e di mirë sa para ka tashmë në xhepin e tij. Qëndrimi i qeverisë përballë rënies së fuqisë blerëse na shqetëson jo vetëm për seriozitetin e kësaj mazhorance, por mbi të gjitha për jetesën e familjeve shqiptare”, - tha Bushati.

Rama, darkë me ambasadorët e vendeve perëndimore

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka mbledhur dje në një darkë ambasadorët e vendeve perëndimore në Shqipëri. Kreu i selisë rozë është takuar me përfaqësuesit diplomatikë në njërin prej restoranteve luksoze të kryeqytetit, ku ka organizuar një darkë pune me ta. Mësohet se tema kryesore e bisedës së Ramës me ambasadorët perëndimorë ka qenë ajo e zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të zhvillohen më datën 28 qershor 2009. Kreu i selisë rozë ka folur gjithashtu me ambasadorët edhe për çështje të tjera të aktualitetit, ku ka ndarë pikëpamjet e Partisë Socialiste në lidhje me to. Bashkëbiseduesit nuk kanë anashkaluar edhe çështjen e ligjit të dosjeve, për të cilën kanë ndarë madje publikisht shqetësimin për përmbajtjen e këtij ligji si dhe për mënyrën se si u miratua në Kuvend nga maxhoranca në Kuvend. Një takim të ngjashëm, Rama zhvilloi me ambasadorët e vendeve perëndimore në Tiranë edhe në fillim të sesionit parlamentar, në muajin shtator.

23 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›