Zgjedhjet, si mund të ankohen partitë politike në KQZ për rezultatin
Shaban Sulçe
Çdo parti politike apo kandidat i pavarur, në rast se nuk do të jetë dakord me vendimet e Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve apo me nxjerrjen e rezultateve prej tij, ka të drejtë të ankimohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve jo më vonë se tri ditë nga shpallja e rezultatit. Afatet e ankimimit dhe mënyrat e depozitimit të tij në KQZ janë sanksionuar në Kodin e ri Zgjedhor, të miratuar nga parlamenti në fund të vitit të kaluar. Gjithashtu, subjektet politike apo kandidatët e pavarur do të kenë të drejtë të ankohen në KQZ në rast se Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve do t’u mohojnë të drejtën për të patur vëzhgues në procesin zgjedhor. Subjekti zgjedhor ankues duhet të depozitojë, së bashku me ankimin, edhe vendimin e plotë ndaj të cilit ushtron ankimin, me përjashtim të rastit kur KZAZ-ja nuk merr vendim.
Ankimimi
Pasi KQZ-ja verifikon kompetencën e saj për shqyrtimin e ankimimit, legjitimitetin e ankuesit dhe respektimin e afateve ligjore për ankimimin, ajo do të ftojë në seancë të posaçme palët për të paraqitur pretendimet e tyre. Palët ankimuese duhet të japin shpjegime rreth kërkesave të parashtruara në ankim, duhet të tregojnë faktet dhe provat mbi të cilat mbështesin pretendimet e tyre, (llojet e provave përcaktohen në Kodin e Procedurës Civile), si dhe të kërkojnë marrjen e provave për të vërtetuar faktet, në rast se nuk ka qenë e mundur që këto prova të siguroheshin paraprakisht prej tyre, duke paraqitur njëkohësisht edhe arsyet përse nuk ka qenë i mundur sigurimi i tyre. Pas paraqitjes së pretendimeve të palëve, KQZ-ja, me kërkesë të secilës prej tyre ose kryesisht, mund të vendosë marrjen e provave të tjera kur çmon se marrja e tyre është në dobi të gjykimit. Pas kësaj, KQZ-ja u kërkon organeve të administratës publike të vënë në dispozicion informacione, dokumente ose çdo provë tjetër që kërkohet ose çmohet e nevojshme për hetimin administrativ. Organet e administratës publike janë të detyruara të vënë në dispozicion provat me marrjen e kërkesës së KQZ-së dhe brenda afatit të përcaktuar në të.
Verifikimi
Gjatë procesit të hetimit administrativ, KQZ-ja ka të drejtë të këqyrë dokumentacionin dhe materialin zgjedhor që ndodhet në kutinë e materialeve zgjedhore ose kutitë e votimit dhe fletët e votimit, si dhe çdo dokumentacion apo material tjetër zgjedhor. Kur materiali zgjedhor ndodhet brenda kutive me vula sigurie, hapja dhe rimbyllja e tyre bëhet sipas procedurave që parashikon ky Kod për hapjen dhe mbylljen e kutive, duke treguar dhe shënuar kodet me të cilat kutitë përkatëse janë mbyllur nga KZAZ-ja, si dhe numrat me të cilët ato mbyllen rishtazi. Këqyrja e materialit zgjedhor bëhet në prani të palëve dhe publikut. Pas këqyrjes së materialit dhe dokumentacionit zgjedhor, palët kanë të drejtë të paraqesin vlerësimet dhe pretendimet e tyre. Provat e gjetura paraqiten në procesverbalin e mbledhjes së KQZ-së. KQZ-ja, me kërkesë të palëve ose kryesisht, kur çmon se për dhënien e vendimit është i nevojshëm rinumërimi dhe rivlerësimi i votave të caktuara, kryen, në praninë e palëve, rinumërimin ose rivlerësimin e votave dhe pasqyron përfundimin në procesverbalin e mbledhjes së KQZ-së dhe vendimin përkatës të saj. Në rast se kërkesa për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo është e detyruar të bëjë rinumërimin dhe rivlerësimin e votave të kërkuara. Në rastin e kutive të votimit, të konstatuara si “kuti të parregullta” nga KZAZ-ja, KQZ-ja është e detyruar të kryejë një hetim administrativ. Hetimi nuk kufizohet vetëm në këqyrjen nga jashtë të kutisë, duke vlerësuar në tërësi faktet dhe rrethanat që kanë çuar në konstatimin e kutisë si “kuti e parregullt”, por edhe nëse këto parregullsi kanë ndikuar në materialin zgjedhor. Nëse KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të subjektit zgjedhor, shprehet me vendim se janë kuti të rregullta, KQZ-ja kryen numërimin fillestar të votave në këto kuti. Pas përfundimit të hetimit administrativ, KQZ-ja pyet palët nëse kanë kërkesa ose prova të tjera në dobi të shqyrtimit të çështjes dhe, në rast se ato nuk pranohen, KQZ-ja i jep fund hetimit administrativ dhe i fton palët të parashtrojnë pretendimet përfundimtare. KQZ-ja vendos, rast pas rasti, nëse palët do t’i parashtrojnë pretendimet përfundimtare me shkrim ose me gojë.
Tabela
Llojet e vendimeve të KQZ-së
Në përfundim të shqyrtimit të ankimit KQZ-ja vendos sipas rastit:
a) pushimin e shqyrtimit;
b) lënien në fuqi të vendimit të KZAZ-së;
c) ndryshimin e vendimit të KZAZ-së;
ç) shpalljen e zgjedhjeve të pavlefshme në një ose disa qendra votimi të zonës zgjedhore ose në të gjithë njësinë zgjedhore;
d) lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve, sipas Nenit 123 të këtij Kodi.
2. KQZ-ja merr vendim, sipas njërit nga rastet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, pavarësisht nga ajo çfarë ankuesi ka kërkuar në ankimin e tij.
3. KQZ-ja merr vendim përfundimtar, në lidhje me ankimin ndaj vendimit për miratimin e tabelës së rezultateve të zgjedhjeve, jo më vonë se 10 ditë nga data kur është regjistruar ankimi përkatës. Në çdo rast tjetër, KQZ-ja merr vendim jo më vonë se dy ditë nga paraqitja e ankimit.
4. Në rastin e bashkimit të kërkesave ankimore, afatet llogariten nga data e regjistrimit të kërkesës së fundit ankimore.
23 Janar 2009