Hiqen vizat për qytetarët serbë
Qeveria mori dje vendimin për të hequr vizat për qytetarët serbë që kërkojnë të vizitojnë Shqipërinë. Sipas Qeverisë, kjo masë do të lehtësojë lëvizjen edhe të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe të gjithë shtetasve serbë me kombësi shqiptare, të cilët për shkak të regjimit të vizave, që të hyjnë në Shqipëri u duhet të marrin vizë në Ambasadën shqiptare në Beograd. Më tej në një njoftim për shtyp, Ministria e Jashtme sqaron se ky ndryshim erdhi me propozim të ministrit Meta, pasi "kjo situatë vendos shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe gjithë shtetasit serb me kombësi shqiptare në pozita diskriminimi. Për shkak të regjimit të vizave, ndryshe nga gjithë shqiptarët e tjerë të rajonit, për të hyrë në Shqipëri, atyre u duhet të marrin vizë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Beograd". Pika 1 e vendimit parashikon që shtetasit serbë, mbajtës të pasaportave të vlefshme të udhëtimit, mund të hyjnë pa viza në territorin e Republikës së Shqipërisë për qëllime afatshkurtra ose të kalojnë tranzit. Qeveria shqiptare ka lidhur marrëveshje për liberalizimin e regjimit të vizave me gjithë vendet e rajonit, duke përjashtuar Kroacinë, me të cilën kemi hequr në mënyrë të njëanshme regjimin e vizave, si dhe Serbinë.