Bushati: Po luftojmë piraterinë, të na përgjigjen tatimorët
Alma Mile
Ndonëse jemi në vitin 2010, “pirateria”, apo transmetimi pa të drejta, vazhdon të jetë shqetësues në Shqipëri. Fatkeqësisht, radiot dhe televizionet shqiptare transmetojnë ende programe pa të drejtën e autorit. Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Radiove dhe Televizioneve, Endira Bushati dëshmon se lufta ndaj piraterisë është sfida më e madhe e këtij institucioni. Ajo thotë se po punohet shumë në këtë drejtim, po merren masa, po vendosen ndëshkime, një operacion ky, që nuk po merr përgjigjen e duhur nga institucionet që duhet të zbatojnë këto vendime.
Znj. Bushati, prej nëntorit të vitit 2009, ju drejtoni Këshillin Kombëtar të Radiove dhe Televizioneve, cilat janë problematikat me të cilat ju u ndeshët, sapo nisët detyrën e re?
Duhet ta pranojmë që me gjithë punën e bërë në drejtimin e “disiplinimit” të “tregut” të medias audovizuale, ende ka shumë punë për të bërë. Do ta nisja me reformën ligjore, për të cilën po punohet, për të vijuar me licensimin e operatorëve numerikë tokësorë (si atyre ekzistues, ashtu edhe subjekteve të rinj që do të futen në tregun e transmetimeve numerike), çka do të ishte një arritje e rëndësishme në liberalizimin e tregut, respektimin e konkurrencës dhe ofrimin e zgjedhjes për konsumatorët. Një problemet që ne duhet ta zgjidhim në mënyrë urgjente, është transmetimi pa të drejta apo “pirateria”, e cila fatkeqësisht vazhdon të jetë tepër shqetësuese. Ende vijon transmetimi i programeve pa të drejta, çka është vënë në dukje edhe nga organizma ndërkombëtarë. Ne po punojmë fort në këtë drejtim, por kërkohet shumë edhe ndihma e institucioneve të linjës, që duhet të zbatojnë masat që ne marrim ndaj shkeljeve të ligjit.
Folët për reformë ligjore, çfarë duhet përmirësuar në ligjin aktual?
Kryerja e reformës ligjore, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian është një hap madhor që duhet të realizohet në një periudhë sa më të shpejtë kohore. Ligji aktual, nuk i përshtatet ritmeve të zhvillimeve teknologjike, ndërkohë që edhe shumë çështje nuk janë të mirë përcaktuara në të. Kjo reformë duhet të jetë e mirë koordinuar me strategjinë e kalimit nga transmetimet analoge, në ato dixhitale, e cila duhet të jetë gati deri në vitin 2012 dhe duhet të jetë produkt i objektivave që do të parashikojë ajo.
A i përgjigjet infrastruktura që disponon KKRT, këtij rrjeti të ngjeshur audio-vizual dhe kalimit në dixhital, që ju parashikoni?
është e vërtetë që nevoja e forcimit të kapaciteteve administrative dhe financiare të KKRT, do të duhet të shihet me përparësi, duke pasur në konsideratë edhe procesin e vështirë të kalimit nga sistemi analog në atë numerik. Miratimi i ligjit të ri të medias audiovizuale, domosdoshmërisht duhet të shoqërohet me një strukturë më efektive të KKRT-së, për t’iu përshtatur më mirë zhvillimeve në fushën e medias elektronike. Nevoja e përmirësimit të infrastrukturës së punës dhe kapaciteteve monitoruese të KKRT-së mbetet një problematikë e përsëritur, që kërkon një zgjidhje të shpejtë. Pajisja e KKRT-së me mjedise të reja pune është themelore për funksionimin normal të institucionit. Por ky është një shqetësim, i cili akoma nuk ka gjetur rrugën e zgjidhjes. Përmirësimi i infrastrukturës së punës do të krijonte mundësinë e përmirësimit edhe të kapaciteteve monitoruese të KKRT-së, përfshirë krijimin e mundësisë së monitorimit në distancë.
Ndër problemet që ju numëruat është edhe “pirateria”, cilat janë “armët” tuaja për ta luftuar atë?
“Pirateria radiotelevizive” është një fenomen që ekziston realisht dhe na bën “karshillëk” të gjithëve, aq sa do të mbetet sfida kryesore për KKRT-në. Ligji “Për radiotelevizionin në Republikën e Shqipërisë” bën fjalë për të drejta transmetimi dhe transmetimi pa këtë të drejtë është i paligjshëm. Për subjektet që shkelin këtë pikë të ligjit, parashikohen sanksione, fillimisht dënimi me gjobë, e më pas deri në heqjen e licencës në rast ripërsëritjeje të shkeljes. KKRT po përpiqet të jetë sa më rigoroze, në rastet e mosrespektimit të ligjit dhe ka ndërmarrë një sërë sanksionesh (gjoba), për transmetimet pa të drejta, si dhe vazhdon te kryejë rregullisht monitorime e inspektime në terren për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit.
Mund të na përmendni disa raste konkrete?
Vetëm në harkun kohor nëntor 2009 - mars 2010, KKRT ka lëshuar 11 urdhra mbylljeje për dalje në transmetim pa licence, apo pa autorizim të KKRT-së për TV kabllorët e instaluar në disa fshatra. Të paligjshme janë edhe transmetimet e kanaleve të kriptuara nga operatorë kabllorë, të cilët i marrin ato pa siguruar më parë lejen e transmetimit të tyre, kontratat apo aktmarrëveshjet përkatëse. Po në harkun kohor nëntor 2009 - mars 2010, KKRT-ja ka gjobitur disa raste të kapura në flagrancë. Gjobat kanë shkuar nga 500 mijë deri në 1 milion lekë për disa subjekte. Gjatë kësaj periudhe, KKRT-ja ka lëshuar urdhrat për sekuestrim të pajisjeve për disa subjekte radiotelevizivë.
Por, a zbatohen sanksionet që ju vendosni?
Për ekzekutimin e vendimeve e urdhrave për sanksionet e vëna, si dhe vjeljen e detyrimeve të pashlyera nga subjektet radiotelevizivë, KKRT bashkëpunon me organet tatimore (Drejtoritë e Tatimeve në rrethe dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve). Por pavarësisht këtij bashkëpunimi, shlyerja e detyrimeve të taksave për shërbimet radiotelevizive nga subjektet në masën 69.4 % për vitin 2009, ekzistenca e llogarisë “Debitorë të prapambetur”, vjelja e sanksioneve: gjoba vetëm nga 29 % e subjekteve, flasin për një punë të pamjaftueshme të këtij bashkëpunimi. Nëse nuk mjafton vetëm t’i shpallim luftë “të paligjshmes”, nuk do të thotë të ligjërojmë të ashtuquajturën mediatikisht “pirateri televizive”. Do të ishte më mirë të shpallnim të gjithë së bashku respektimin e ligjit. Kjo vlen si për atë që ushtron veprimtarinë, pra, për operatorët radiotelevizivë, ashtu edhe për institucionet që e mbikëqyrin atë veprimtari. Nuk mendoj as të bëj thirrje apo apel institucioneve të tjera për bashkëpunim, por të themi thjeshtë, të zbatojmë ligjet. Ndoshta kjo është sfida imediate e krejt shoqërisë sonë.
Besoj se KKRT merret edhe me monitorimin e etikës së programeve që shfaqen në televizione, kryesisht, çfarë bëhet në rastet, kur vihen re shkelje të etikës?
Sigurisht që ka pasur raste të tilla, të cilat ne jemi munduar t’i zgjidhim përmes tërheqjes së vërejtjeve, por është e vështirë që në këto raste të vendosësh sanksione, pasi kufijtë e etikes, apo të moralshmes, janë shumë fleksibël. Gjithsesi, krahas rritjes së shkallës së ndërgjegjësimit për vlerësimin e normave etike dhe morale në programet radiotelevizive, do të përdoren forma të reja të bashkëpunimit me operatorët, në gjetjen e hapësirave për sistemin e vetrregullimit, efikasitetin dhe funksionimin racional të këshillave etike të operatorëve radiotelevizivë. Përparësi në këtë fushë do të ketë veprimtaria e Këshillit të Etikës pranë KKRT-së, aplikimi i formave të reja të monitorimit për respektimin e parimeve etike, kërkesave dhe normave morale e ligjore për mbrojtjen e fëmijëve.
Kryetarja e re e KKRT-së
Prej nëntorit të vitit 2009, me miratimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Dr. Endira Bushati u vendos në detyrën e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Radiove dhe Televizioneve. Endira Bushati ka kryer studimet pranë Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, duke u diplomuar si “Student i Shkëlqyer” për vitin akademik 2000. Që nga ai vit, ka punuar si pedagoge pranë Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës. Gjatë viteve 2001-2003 ka mbrojtur gradën Master në të Drejtë Publike me tezën “Historia e shtetit dhe e së Drejtës në Shqipëri 1944-1950”. Në vitin 2005 është diplomuar në “Të Drejtë Evropiane dhe Ndërkombëtare Tregtare” në Universitetin e Parisit, 1 Pantheon-Sorbonne në bashkëpunim me Universitetin e Bukureshtit. Në maj të vitit 2009 ka mbrojtur gradën Doktor i Shkencave Juridike në të Drejtë Civile me disertacionin me temë: “Begatimi pa shkak”