E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani dhe Reali jashtë Champions-it



Milani është eliminuar dje nga Liga e Kampioneve pas një paraqitjeje shumë të dobët në Mançester kundër skuadrës së Fergusonit teksa është mundur me rezultatin 4-0. Në takimin e djeshëm, ashtu si edhe në ndeshjen e parë ka qenë sërish bomberi i Mançester Junajtid, Uejn Runi, i cili me dy golat e shënuar në fillim të dy pjesëve të lojës, ka prerë shpresat e kuqezinjve për të vazhduar më tej në këtë kompeticion. Në të dyja takimet, Runi iu shënoi katër gola kuqezinjve. Milani me mungesa shumë të rëndësishme si Pato dhe Nesta, nuk ka mundur të japë asnjë nga repertori i tij. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 me gol të Runit në minutën e 13-të, ndërkohë që edhe në ato pak raste që krijoi skuadra e Leonardos, nuk u shfrytëzuan nga sulmuesit Borrielo dhe Huntelar. Në pjesën e dytë, Milani u përpoq që të luante më shumë në sulm, teksa Leonardo hodhi në fushë Sedorfin dhe Bekhamin, por kjo nuk dha efektin që pritej, përkundrazi, anglezët shënuan edhe tre gola të tjerë. Dy nga lojtarët më të dobët në ndeshjen e djeshme ishin padiskutim Ambrozini dhe Ronaldinjo. Kapiteni i Milanit gaboi në dy golat e shënuar nga Runi dhe Park. Ndërkaq, edhe asi brazilian ishte tërësisht në hije, pasi nuk arriti për asnjë moment që të bënte diferencën. Ndeshjen e parë Mançesteri e kishte fituar me rezultatin 3-2, ndërsa dje vërtetoi se mbetet një nga skuadrat më të mira në Evropë, pasi arriti të likuidonte lehtësisht Milanin.
Reali
Reali i Madridit u eliminua dje nga Lioni duke mos siguruar kualifikimin për në çerekfinale të Ligës së Kampioneve, pas barazimit 1-1 në “Bernabeu”. Një gol i shënuar nga Ronaldo që në minutën e 6-të të takimit, ngjalli shpresat e madrilenëve për një fitore të thellë, por në minutën e 75-të Pjaniç barazoi 1-1. Reali, i cili kishte humbur në ndeshjen e parë me rezultatin 1-0, nuk arriti të shënonte edhe dy gola të tjerë deri në fund të takimit, përkundrazi, rrezikoi të ndëshkohej nga francezët sërish. Ky është viti i gjashtë radhazi që Reali nuk arrin të shkojë në finale.

Rezultatet

DJE
MANçESTER-Milan 4-0
Runi 13’, 46’, Park 59’, Fletçer 88’
Real M.-LION 1-1
Ronaldo 6’/ Pjaniç 75’
Të MARTëN
Fiorentina-BAJERN M. 3-2
Vargas 28’, Jovetiç 54’, 64’/ Van Bomel 60’, Roben 65’
ARSENAL-Porto 5-0
Bentdner 10’, 25’, 91’(p), Nasri 63’, Eboue 66’

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›