Kosova tronditet nga një tërmet 5 ballë
Kosova është tronditur dje nga një tërmet i shkallës 5.2 Rihter. Njerëzit e trembur nga ngjarjet e fundit tronditëse me bilanc të madh vdekjesh, si në Haiti, Kili e Turqia kanë vrapuar nëpër rrugë, sa më larg ndërtesave të larta. Sizmografët e Rrjetit Sizmologjik të Kosovës kanë detektuar dje në orën 14:38 minuta, një tërmet me epiqendër gjashtë kilometra në juglindje të Istogut. “Magnituda e tërmetit ishte 5.2 Rihter, ndërsa intensiteti në epiqendër 7 ballë, sipas MCS-64, thellësia e lëkundjeve ishte 5.2 km”, thuhet në një njoftim të zyrës për Sizmologji, në Kosovë. Tërmetin e kanë ndier më shumë banorët e rrethit të gjerë të Pejës, Istogut, por edhe pjesa tjetër e territorit të Kosovës. Kohëzgjatja e tërmetit ishte rreth 5 sekonda. Ndërkohë, sikur raporton B92, sipas Institutit Sizmologjik të Serbisë, epiqendra e tërmetit ishte diku në rajonin e Zubin Potokut, në veri të Kosovës. Edhe sipas këtij instituti, tërmeti thuhet se ishte i fuqisë rreth 5 ballësh sipas shkallës Rihter. Rrjetet telefonike janë ndërprerë për disa minuta, për shkak të ngarkesës. Ka njoftime se shumë shkolla kanë pezulluar mësimin dhe i kanë dërguar nxënësit në shtëpi, edhe për shkak të rrezikut të përsëritjes së dridhjes.