Bushati: Presim të gabojë Tirana
11/04/2005 Fitorja e arritur në Durrës ditën e shtunë, ka sjellë qetësi dhe besim pranë Elbasanit, për ecurinë e mëtejshme të kampionatit. Kjo fitore ka dhënë më tepër siguri edhe nga ana matematikore për vendin e dytë. Ndërkohë, diferenca prej tetë pikësh me kryesuesen e Tiranës, ndonëse ka javë që qëndron e pandryshuar, i mban me shpresë elbasanasit në ndonjë arritje të mundshme të vendit të parë. Këtë shpresë e ka shprehur mjaft hapur trajneri Artan Bushati, i cili ka deklaruar se tashmë Tirana fillon ndeshjet e vështira në kampionat dhe Elbasani duhet të dijë të përfitojë nga çdo hap fals i kampionëve në fuqi. “Ne jemi të gatshëm për të shfrytëzuar çdo gabim të bardhebluve, duke mos neglizhuar deri në fund të kampionatit asnjë takim”, ka deklaruar Bushati. Kjo javë mendohet se do të jetë një ndër më deçizivet në këtë garë të fund Kampionatit, si për Tiranën ashtu edhe për Elbasanin. Kryeqytetasit do të kenë një takim mjaft të vështirë me Vllazninë, në kërkim të vendit të tretë të humbur këtë javë në favor të Dinamos. Një rezultat pozitiv i tyre do të ishte mjaft i favorshëm, pasi blutë do të kenë një ndeshje të vështirë përballë Elbasanit në “Ruzhdi Bizhuta”. Elbasani do të tentojë me çdo kusht fitoren, ndërkohë që edhe Dinamo do të kërkojë rezultatin pozitiv, në përpjekje për të ruajtur vendin e tretë. Interesat është fakti se në tre takimet e zhvilluara mes këtyre ekipeve këtë sezon kanë përfunduar 0-0. Megjithatë tashmë Dinamo është një skuadrë tjetër, që e ka marrë veten nga problemet që ka patur në fillim të sezonit. Nga ana tjetër ky mund të jetë shansi i fundit për Elbasanin, që të tregojë edhe njëherë vlerat e tij më të mira dhe të shfaqë në fushën e lojës, Elbasanin e fortë e me një lojë spektakolare.