E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana fiton ndeshjen dhe të rinjtë

11/04/2005  Që Tirana do të fitonte kundër Laçit, kjo ishte e vetmja gjë, për të cilën nuk mund të diskutohej. Por siç ka theksuar trajneri i skuadrës kampione, Sulejman Starova pas përfundimit të ndeshjes, ai për ndeshjen me Laçin ka patur një tjetër qëllim; evidentimin e elementit të ri, që do të jetë edhe e ardhmja e skuadrës bardheblu. Dhe një eksperiment më i mirë se ai me skuadrën kurbinase, që kërkon kapjen e rekordeve të rinj në pësimin e golave, nuk mund të kishte. Sigurisht ata që kanë vënë vulën në fitoren e kampionëve kanë qenë “ujqit e vjetër” të golit, por edhe të rinjtë, kanë bërë një paraqitje të mirë, duke e lënë të kënaqur Starovën, duke i dhuruar një fitore të thellë dhe relaksuese. “Duke parë dhe kundërshtarin që kishim përballë, na u dha mundësia për të evidentuar disa lojtarë të rinj, si dhe ata futbollistë, që janë aktivizuar më pak gjatë këtyre javëve në kampionat. Djemtë dhanë një provë të mirë edhe pse t’i vlerësosh në një ndeshje të tillë është jo shumë ...”,- ka deklaruar fillimisht trajneri i skuadrës së Tiranës Sulejman Starova. Duke iu kthyer ndeshjes së zhvilluar në Shijak, për teknikun e bardhebluve nuk ka shumë për të shpjeguar. Sipas tij kundërshtari tepër modest që Tirana kishte përballë, nuk të jep mundësinë të japësh një vlerësim të saktë për lojën e skuadrës. Pavarësisht kësaj, trajneri i kampionëve ka theksuar se ka parë në fushë një Tiranë që në pjesën e parë ka qenë shumë pak e impenjuar, ndërkohë që në pjesën dytë, ajo është zgjuar duke shënuar katër gola dhe duke humbur një mori rastesh të tjera. “Kuptohet qartë që ishte një ndeshje e lehtë për ne duke parë edhe kundërshtarin. Përballë kishim një skuadër modeste, e cila u mundua të bënte aq sa kishte mundësi – ka nënvizuar tekniku i bardhebluve - Kjo bëri që skuadra të hynte në lojë me mendje të fjetur dhe kjo u pa shumë qartë në pjesën e parë ku skuadra dukej e pa impenjuar. Pavarësisht kësaj arritëm të shënonim, por në pjesën e dytë skuadra ndryshoi, e rriti ritmin e lojës dhe arriti të shënojë mjaft gola, duke humbur edhe shumë gola të tjerë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›