Shehu: Dimë të reflektojmë ndaj kritikave të të huajve
E djathta tërhiqet përfundimisht nga ideja e ngritjes së komisionit hetimor parlamentar për performancën e Prokurorisë së Përgjithshme. Deputeti i PDR-së, Tritan Shehu, ka sqaruar dje pozicionin që e majta do të mbaj pas lumit të kritikave në adresë të qeverisë nga diplomatët e huaj në Tiranë. Nënkryetari i PDR, Tritan Shehu, ka deklaruar se Partia Demokrate e Re mbështet plotësisht qeverinë e Kryeministrit Berisha. Ndërkaq, Tritan Shehu është treguar i kujdesshëm me vërejtjet e faktorit ndërkombëtar gjatë ditëve të fundit, duke theksuar se qeveria Berisha do t‘i dëgjojë kritikat. Një ditë më parë, demokristianët e Nard Ndokës kërkuan dorëheqjen e Kryeministrit Berisha, një gjest ky që vinte për herë të parë nga një parti, pjesë e koalicionit qeverisës. Përkundër qëndrimit të ashpër të demokristianëve, të cilët një ditë më parë kërkuan dorëheqjen e Kryeministrit Berisha, publikisht, pro qeverisë kanë dalë aleatët e tjerë të PD-së, reformatorët. Partia Demokratike është tërhequr përfundimisht nga ideja e ngritjes së komisionit hetimor për Prokurorinë e Përgjithshme. Megjithëse u premtua mbledhja e 28 firmave të deputetëve brenda javës për ngritjen e komisionit, që do të sqarojë marrëdhëniet qeveri-prokurori, projekti i PD-së bie poshtë nga thirrjet e ndërkombëtarëve. Megjithëse kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka bërë me dije se PD është gati të mbledh 28 firmat e deputetëve demokratë për ngritjen e këtij komisioni brenda kësaj jave, këto firma nuk janë mbledhur ende dhe jo vetëm kaq, por pasohen nga deklarata brenda mazhorancës se do dëgjohen kritikat e ndërkombëtarëve. Kritikat e ndërkombëtarëve duket se nuk kanë rënë aspak në vesh të shurdhët, duke frenuar në këtë mënyrë vazhdimin e luftës mes Kryeministrit Berisha dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Deklaratat e njëpasnjëshme të ambasadës amerikane në Tiranë, deklaratat unike të ambasadorëve të BE-së në Shqipëri, por edhe thirrjet e vazhdueshme të OSBE-së kanë detyruar mazhorancën të ndryshojë qëndrim.